
Deputeti i Partisë Socialiste Eduart Shalsi ka reaguar lidhur me postimin e kreut të PD Sali Berisha, i cili tha se arsyeja e plagosjes së djeshme në Kukës, ishte Eduart Shalsi.
29-vjeçari Elvis Halilaj, (kushëriri i Kryetarit të Bashkisë Kukës Albert Halilaj) u plagos me armë nga Sebastian Muçmata, vëllai i drejtorit të Shërbimeve në Bashkinë Kukës (Zenel Muçmata).
Në reagimin e tij, Berisha tha se Shalsi provokoi gjakderdhje në Kukës dhe Tropojë në klanin e kryetarit të bashkisë Kukës, Albert Halili.
Deputeti i PS ka reaguar ashpër duke e quajtuar Berishën rrangallë politike, të sfilitur jo nga mosha, por nga non grata. Eduart Shalsi ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen teksa shprehet se Berisha tentoi të mbjellë urrejtje dhe armiqësi mes shqiptarëve me gjuhën e tij banale dhe vulgare.
“Sali Berisha, kjo rrangallë politike
I kërrusur - jo nga pesha e moshës, por nga damka e “non grata”-s; i sfilitur - jo nga betejat politike, por nga turpi me të cilin ka mbuluar veten e partinë e tij; i hallakatur mendërisht nga braktisja e atyre që dikur i kishte mbështetës; shumë i trembur nga fakti që për herë të parë në jetën e tij po përballet me drejtësinë, Sali Berisha tentoi dje të më përfshinte, duke i vendosur postimit të tij edhe një titull të neveritshëm, në një ngjarje në Kukës, me rrethanat e së cilës nuk kam asnjë lloj lidhjeje.
Është kjo gërdallë politike që shantazhoi sistemin e drejtësisë kur pushteti i tij vrau në mes te bulevardit 4 qytetarë të pafajshëm apo mori 28 jetë njerëzish në Gërdec. Është kjo gërdallë politike që ka kërkuar të mbjellë urrejtje e armiqësi mes shqiptarëve gjithmonë duke përdorur një gjuhë banale e vulgare.
Nuk mendoj se Sali Berisha meriton t’i përgjigjem seriozisht. Edhe në kulmin e pushtetit të tij e kam konsideruar si njeri krejtësisht të pazotin për të qeverisur Shqipërinë; të pakulturuar për të shërbyer si model për shqiptarët; të papërgatitur për të udhëhequr vendin; primitiv e tribal në sjellje e krejtësisht të paaftë për të mbajtur fjalime që do të frymëzonin njerëzit; plotësisht i zhytur në padije, gjë për të cilën nuk ka qenë kurrë i vetëdijshëm.
Në finale të jetës së vet, është i dënuar të kuptojë se sa i turpshëm është fundi i tij dhe ky është makthi me të cilin duhet të mësojë të jetojë tani e sa kohë”, shkroi deputeti i PS.
Lini një Përgjigje