Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një konferencë për mediat nga selia blu, ku është pyetur lidhur me mundësinë e protestave të pandërprera para Kryeministrisë.
Në përgjigjen e tij, Berisha deklaroi se numri i qytetarëve që kërkojnë ndryshim po rritet, duke e cilësuar këtë kërkesë si të drejtë dhe të pashmangshme. Sipas tij, ky ndryshim do të realizohet në momentin e parë të mundshëm.
Ai u shpreh se protestat përfaqësojnë reagimin e qytetarëve të përgjegjshëm, të cilët, sipas tij, përballen me një shtet të “degraduar dhe të degjeneruar në shkallë ekstreme”.
Kreu i PD-së kritikoi gjithashtu sistemin e drejtësisë, duke ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë ligjore të institucioneve kushtetuese. Berisha tha se, në kushtet aktuale, qytetarët janë e vetmja forcë që ka mbetur, duke shprehur bindjen se kjo betejë do të fitohet prej tyre.
Në deklaratën e tij, Berisha theksoi se, sipas opozitës, morali dhe ndershmëria qytetare janë më të forta se interesat që ai i cilësoi si abuzive, ndërsa objektivi i Partisë Demokratike mbetet largimi i asaj që ai e përshkroi si një rrezik serioz për shoqërinë shqiptare.
Lini një Përgjigje