Pas kryeministrit Edi Rama, kreu i opozitës, Sali Berisha ka sulmuar Gjykatën Kushtetuese, duke e etiketuar si strofulla e fundit e hajdutëve.
Ai shtoi se, ndonëse jo të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ndajnë të njëjtin qëndrim, vendimet e marra prej saj përbëjnë, sipas tij, një turp kombëtar.
Kreu i opozitës akuzoi gjykatën se ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën “vetëm për të zbatuar në mënyrën më kriminale urdhrat e Edi Ramës”.
Berisha theksoi se kjo ishte hera e tretë radhazi që Gjykata Kushtetuese merrte një vendim të tillë, duke e konsideruar atë si provë të nënshtrimit të plotë politik.
"Në një akt ekstrem vetëposhtërimi, ata të cilët Kushtetuta i përcakton si garantë të saj dhe i ka vendosur në piedestalin më të lartë të piramidës së pushtetit gjyqësor, ata po faktojnë para syve tuaj se janë strofulla e fundit e hajdutëve të narkoshtetit.Ata zotërinj dhe zonja, natyrisht jo të gjithë, se këtu nuk mund të mos vlerësoj qëndrime korrekte të ndonjërit prej tyre, dëshmojnë se janë të gatshëm jo të mbrojnë ligjin, Kushtetutën dhe interesat tuaja, por të shkelmojnë mbi ligjin, Kushtetutën dhe dinjitetin, moralin e vet.Vetëm e vetëm për të zbatuar përulësisht, për të zbatuar në mënyrën më kriminale urdhrat e Edi Ramës.
Kësaj here nuk kam pyetur se cili apo cila kërkoi zgjatjen. Jo. Kjo ishte e treta herë.
Tre herë me radhë ajo gjykatë firmosi turpin e saj.Ajo gjykatë dëshmoi se para ligjit, para interesit të një populli të tërë, para interesit të qindra mijëra fëmijëve shqiptarë, që sipas të gjitha statistikave nuk ushqehen dot si duhet, para interesit të miliona shqiptarëve që braktisin vendin e tyre sepse u shkatërrohen vendet e punës, para interesit të mijëra të sëmurëve që nuk marrin dot ilaçet e tyre sepse u vidhen paratë e ilaçeve nga zyrtarët që këta mbrojnë, por edhe para dinjitetit të vendit, këta janë turpi i vendit, turpi i kombit.", tha Berisha.
Lini një Përgjigje