Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, një nga dy përfaqësuesit e opozitës që nuk bojkotuan seancën parlamentare për rezolutën ndaj Iranit, ka kritikuar këtë nismë, duke e cilësuar si një veprim në funksion të interesave politike të kryeministrit.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kapri u shpreh se rezoluta nuk reflekton një qasje reale perëndimore të qeverisë, por ka për qëllim të përmirësojë imazhin politik të saj.
“Kjo rezolutë do të merrte shumë kuptim nëse kjo qeveri do të ishte vërtet perëndimore e do të sillej si perëndimore para se të sillte rezoluta servile si kjo, që kanë vlerë për t’i thënë botës që Shqipëria është pjesë e perëndimit, por ne e kuptojmë që është thjesht për të shpëtuar fatin politik të Edi Ramës në atë që do të nddhë së shpejti dhe nevoja për t’u treguar sa më servilë, na bën të sjellim rezoluta të tilla. Është shumë qesharake kur mendon një rezolutë kundër Iranit dhe Irani na ka sulmuar parlamentin madje dhe asnjë nga mazhoranca nuk kërkon mbledhje të këshillit të sigurisë kombëtare. Nëse do e kërkojnë, do të kuptojnë që çfarë i kemi bërë vetes, nuk na e ka bërë Irani”, tha Kapri.
Në vijim, deputeti ngriti shqetësime edhe për protestat e banorëve në Rrjoll kundër ndërtimit të një resorti, duke theksuar përdorimin e dhunës ndaj tyre dhe duke bërë krahasime me praktika represive.
“Ka dy muaj që ndodh një protestë në një fshat katolik të Shqipërisë për të drejtën e pronës. E keni parë sesi policë privatë me kapuçë të zinj dhe shkopa gome rrahin banorët tamam si gardianë iranianë islamikë? Asnjeri nuk ka folur për këtë dhe janë çuar për të drejtën e pronës e ju flisni për një Shqipëri perëndimore. Çmimi i naftës rritet pa u bllokuar Ngushtica e Hormuzit apo njerëzit dhunohen se ecin me monopatina dhe ç’është më e rënda, po fole për të drejtat e njerëzve, përjashtohesh nga parlamenti! Kjo s’është Shqipëri perëndimore! Shqipëria sot është më larg nga perëndimi se asnjëherë më përpara dhe kjo bëhet vetëm për fatin politik të Edi Ramës që tashmë ka vendosur që integrimi i Shqipërisë të mos kalojë nga Brukseli, por nga Beogradi”, përfundoi deputeti.
Lini një Përgjigje