TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Qershor 2023, 12:55

Propozimi për Asociacionin, Berisha sulmon ashpër Ramën: Sintoni me Vuçiç, po synon ndarjen e Kosovës

Shkruar nga Pamfleti

Propozimi për Asociacionin, Berisha sulmon ashpër Ramën: Sintoni

Ish kryeministri Sali Berisha është pyetur ditën e sotme nga gazetarët për draft-propozimin e Edi Ramës për Asociacionin e komunave serbe në veri të Kosovës.

Ai sulmoi kryeministrin duke thënë se është në mbështejte të Beogradit dhe së bashku me Vuçiç po synojnë ndarjen e Kosovës.

"As që e kam lexuar dhe nuk kam asnjë interes. Unë u them atyre që përpiqen të përdorin Ramën, vetëm sa komplikoni zgjidhjen e problemit. Çështja e Asociacionit nuk është çështje drafti. Draftin e Ramës, sigurisht e ka shkruar Vuçiçi. Kjo është për t’i thënë Albin Kurtit, që ti as këtë që ka hartuar Tirana, nuk e pranon. Kjo është një thikë pas shpine, që Aleksandër Vuçiç, doktrinari i gjenocidit, arrin t’i fusë Kosovës përmes vasalit të vet, Edi Rama. Nuk është asgjë tjetër, Brukseli, Uashingtoni, Londra, Parisi, Berlini kanë grupet më të shkëlqyera të ekspertëve, por për hir të së vërtetës, ai draft duhet të hartohet nga ata që do e zbatojnë. Futja e Edi Ramës në mes, ishte vetëm për t’i futur një thikë, siç bëri me hartat. Kush vraponte me hartat e ndarjes së Kosovës dhe kufijve? Iniciatori i atij projekti, rezulton sipas burimeve shumë serioze të jetë Edi Rama, pra të jetë Vuçiçi përmes argatit të tij. Me këtë rast, mund të them se nëse procesi i negociatave midis Kosovës dhe Serbisë eci brenda dy vitesh me një kurs të pandalshëm, që nga viti 2013 është shndërruar në pëlhurë të Penelopës. Ky, në sintoni me Vuçiçin, synon ndarjen e Kosovës. Por ndarja e Kosovës nuk është opsion kurrë. Ndaj Edi Ramës i ra maska, Kosova bëri reagimin e vet në union," tha Berisha.

Kryeministri i Shqipërisë dje ka bërë të ditur në një konferencë për media se u ka përcjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

"Jam këtu për t'ju bërë të ditur një fakt të panjohur më parë. Dje ua kam përcjellë Scholzit dhe Macronit një draft të Asociacionit, për të cilin e kam vënë në dijeni edhe Charles Michel dhe palën amerikane", tha Rama gjatë konferencës.

Rama tha se dokumenti është konfidencial, por u shpreh i bindur se është "një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën".

Marrëveshjen për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia e kanë arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

vuçiç rama berisha

Lini një Përgjigje