Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Tiranë në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit.
Ajo është pritur nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali në aeroportin Nënë Tereza.
Ministrja u shoqërua edhe nga Luigi Soreca, i ngarkuari me punë i delegacionit të BE-së në Shqipëri.
“Kënaqësi e veçantë të prisja sot në Tiranë, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Ky samit është një tjetër event i rëndësishëm ndërkombëtar për Shqipërinë, i cili zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së, me pjesëmarrjen e 6 kryeministrave të rajonit, liderëve të vendeve anëtare të BE-së si dhe përfaqësuesve të nivelit të lartë dhe organizmave ndërkombëtare të mbi 25 vendeve”, shkruan ministrja.
Para mbajtjes së samitit të së hënës, Von der Leyen do të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.
Rreth orës 17:30 pritet një konferencë për shtyp mes Ramës dhe Von der Leyen.
Paraprakisht mësohet se në qendër të bisedës do të jenë arritjet e këtij procesi ndër vite dhe angazhimi i Shqipërisë për mbarëvajtjen e tij, si edhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Për herë të parë, samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Europian dhe për ta organizuar këtë samit me rëndësi për vendet e Ballkanit Perëndimor është zgjedhur Tirana.
Në samit deri më tani është konfirmuar pjesëmarrja e Kancelarit Gjerman, Olaf Scholz, presidenti Francës, Emmanuel Macron, si edhe presidenti i Këshillit Europian Charles Michel.
Ndërkohë, Macron do të zhvillojë një vizitë zyrtare në vendin tonë, përveç samitit të Procesit të Berlinit. Kjo është hera e parë që një president francez pritet në Shqipëri me ceremoni shtetërore.
Lini një Përgjigje