Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinad Xhaferaj shprehet se ndryshimi i vazhdueshëm i qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama në raport me Vuçiç është bërë vetëm për interesa të pushtetit të tij.
Sipas Xhaferajt, Rama e ndryshoi qasje ndaj Vuçiç, kur Perëndimi u bind se ky i fundit nuk mund të largohej nga linja e Putin, dhe këtë e bëri vetëm për të ruajtur karrigen e vet.
“Rama me qëndrimet e tij në vijueshmëri nuk i ka shërbyer Vuçiçit, as Kosovës, po katërcipërisht karriges së tij. Nëse shikojmë qëndrimin e tij ndër vite, për sa vite që komuniteti ndërkombëtar kishin një farë politike përkëdhelëse ndaj Vuçiç që ta mbanin larg Putinit, mori flamurin e kësaj politike, dhe thoshte mos ta vëmë në pozitë të vështirë.
Disa ditë para samitit të NATO, Vuçiç ia besoi shërbimet e sigurisë së vendit dy njerëzve të dekoruar nga Moska, aty Perëndimi mori mesazhin që Vuçiç nuk ndahet dot nga Moska dhe tërhoqi mbështetjen ndaj tij. Këtu kemi një Ramë tjetër, që u bë agresori më i madh, që doli nga Ballkani i Hapur dhe të gjitha këto nuk vijnë se është argati i Vuçiç, por i karriges së tij”, tha Xhaferaj në një intervistë për Euronews Albania.
Ndërkohë ju rikujtojmë se nesër në Tiranë do të mbahet samiti i radhës i Procesit të Berlinit.
Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen mbërrin gjatë ditës së sotme në Tiranë, në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet ditën e hënë.
Von der Leyen do të ketë takim me Begajn dhe Ramën, ndërsa me kryeministrin pritet edhe një konferencë për shtyp.
Lini një Përgjigje