
Kryeministri Rama ka njoftuar se Presidenti i Emirateve të Bashkuara, sheiku Mohammed bin Zayed Al Nahyan do të vizitojë nesër Shqipërinë.
Rama tha se ky është një moment shumë special, pasi sheiku bin Zayed është një mik i vjetër i shqiptarëve dhe një figurë shumë e dashur për të. Kryeministri theksoi marrëdhëniet e ngushta miqësore mes dy vendeve dhe shprehu entuziazmin për këtë vizitë, e cila pritet të forcojë më tej lidhjet mes vendeve.
Rama tha gjithashtu se Mohammed bin Zayed Al Nahyan nxiti marrëveshjen për portin e Durrësit si dhe kishte rol kyç në marrëveshjen trepalëshe me Italinë për lidhjen nënujore të energjisë.
“Nesër kemi një vizitë shumë speciale. Për herë të parë zbret në Shqipëri si president i Emirateve të Bashkuara, sheiku Mohammed bin Zayed Al Nahyan, mik i vjetër i shqiptarëve dhe shumë i dashur i imi personalisht. Ai ka zbritur në Shqipëri më parë ’99, mbi pistën e Aeroportit të Kukësit, që u shtrua nga i ati, themeluesi i Emirateve të Bashkuara në mbështetje të vëllezërve dhe motrave të shpërngulur me dhunë nga Kosova.
Asokohe ata sollën ndihma shumë të mëdha, në atë pistë të shtruar enkas. Presidenti që nesër na nderon me vizitën e tij erdhi në këmbë të të atit. Vizita e presidentit të Emirateve dhe një nga udhëheqësit më të respektuar të botës së sotme shënjon një gur shumë të rëndësishëm kilometrik në rrugën e të një miqësie dhe partneriteti që është forcuar shumë në vitet e fundit.
Bin Zayed ishte donatori më i madh pas tërmetit shkatërrimtar në Durrës. Lagja e re shembullore e rindërtimit në spital është financuar i gjithi nga ai. Ai nxiti marrëveshjen për portin turistik të Durrësit si dhe ishte kyç në marrëveshjen trepalëshe me Italinë për lidhjen nënujore të energjisë”, u shpreh Rama.
Lini një Përgjigje