TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Tetor 2025, 08:41

Presidenti Bajram Begaj pret sot liderët e Ballkanit Perëndimor në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti
Presidenti Bajram Begaj pret sot liderët e Ballkanit Perëndimor
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj

Në një atmosferë simbolike në Durrës, Shqipëria çel sot siparin e Samitit dyditor të Procesit Brdo-Brijuni, një platformë e rëndësishme politike që bashkon liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të dy vendeve anëtare të BE-së, Kroacisë dhe Sllovenisë.

Samiti, i cili po mbahet në Golem të Durrësit, drejtohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe synon të forcojë rrjetin e bashkëpunimit rajonal, të rrisë koordinimin për integrimin europian dhe të hapë rrugë konkrete për adresimin e sfidave të përbashkëta, si largimi i të rinjve dhe mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore.


Në qendër të diskutimeve janë temat më kritike për të ardhmen e rajonit: bashkëpunimi mes vendeve fqinje, Planin e Rritjes së BE-së, mbështetja për rininë dhe dinamika të reja për afrimin me Bashkimin Europian.

Pjesëmarrës në këtë samit janë udhëheqësit e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë – bashkëthemeluesit e kësaj nisme strategjike.

Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes u zhvillua në orën 10:30, me pritjen e liderëve nga Presidenti Begaj, Presidentja sllovene Nataša Pirc Musar dhe Presidenti kroat Zoran Milanoviç. Pas fotos zyrtare, bisedimet nisën me fjalën hapëse të Presidentit Begaj në seancën plenare.

Samiti do të kulmojë me një konferencë të përbashkët për shtyp të tre presidentëve; atij shqiptar Bajram Begaj, sllovenes Natasa Pirc Musar dhe atij kroat Zoran Milanoviç.

Gjithashtu, pritet miratimi i konkluzioneve të përbashkëta, që synojnë t’i japin hov të ri proceseve integruese dhe ndërtimit të besimit politik në rajon.

Kjo është hera e parë që Shqipëria mirëpret këtë samit, i cili mbahet çdo vit që nga viti 2013, dhe konsiderohet një sinjal i qartë i vullnetit politik për të ecur së bashku drejt një të ardhmeje më stabile, më të integruar dhe më europiane.

Që prej vitit 2013, Iniciativa Brdo-Brijuni ka shërbyer si një platformë e përvitshme ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe dy vendeve anëtare të BE-së, Kroacisë dhe Sllovenisë, takohen për të diskutuar sfidat dhe të ardhmen e përbashkët të rajonit.

Eventi i kaluar i këtij forumi u zhvillua në Mal të Zi, ku mesazhi kryesor ishte nevoja për të kultivuar marrëdhënie më të shëndosha ndërfqinjësore dhe për të rritur bashkëpunimin në të gjitha nivelet.

Përmes një deklarate të përbashkët, liderët e rajonit riafirmuan angazhimin për të thelluar reformat, për të përmirësuar komunikimin strategjik me Bashkimin Europian dhe për të përqafuar objektivat e Agjendës së Gjelbër – një hap domethënës drejt zhvillimit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.

liderët e ballkanit perëndimor në shqipëri

Lini një Përgjigje