
E gjithë kjo situatë duket se po e kthen garën për Bashkinë më të rëndësishme të vendit në qesharake, ku çdo ditë, derisa Berisha të vendosë për emrin, me apo pa subjektet e tjera në opozitë, do të vetëofrohen emra si kandidatë që do të kërkojnë mbështetje…
Në 6 bashki të vendit, përfshi edhe Tiranën, si kryeqendër, më 9 nëntor do të mbahen zgjedhjet e pjesshme vendore. E gjithë vëmendja është përqëndruar në kryeqytet, ku gara për postin e Kryebashkiakut më shumë se sa administrative është politike.
Socialistët e Edi Ramës e mbyllën me shpejtësi dilemën përsa i takon kandidatit, duke pranuar vendimin e Kryeministrit se në garë do të jetë Ogerta Manastirliu, ish-ministrja e Arsimit, një bashkëpunëtore e hershme e kreut të PS-së.
Me këtë propozim, socialistët e Ramës bënë që për herë të parë në garën për kryebashkiake të Tiranës të përfshihet një grua, për të cilën Kryeministri nuk kursen elozhet, por edhe bindjen se ajo do të jetë pasuesja e Erion Veliajt.
Emri i dytë që është zyrtarizuar si kandidat është ai i Arlind Qorit, kreut të Lëvizjes Bashkë, që do të synojë sërish postin e Kryebashkiakut, ndërsa një gjë të tillë e bëri edhe dy vite më parë. Qori është përjashtuar nga negociatat me PD-në, por edhe ka deklaruar se nuk do të pranonte të hynte në bisedime me demokratët e Sali Berishës.
Tashmë topi është në fushën e opozitës, e cila duhet të nxjerrë një kandidat, pasi disa parti, në aleancë ose jo me PD-në, u dakordësuan se në garën për Tiranën duhet të futet një kandidaturë e pavarur. Ky kusht i panegociueshëm i disa subjekteve të vogla, por me numër votash jo të vogël, referuar rezultateve të 11 majit, është pranuar edhe nga Sali Berisha.
Kreu i PD-së tha se është i gatshëm të mbështesë një kandidat të pavarur, pra jo-partiak, ndonëse ende partia e tij, nuk ka artikuluar një emër që mund t’a hedhë në tryezën e diskutimeve.
Dy nga emrat që janë vetëofruar si kandidatë të pavarur janë Ermal Hasimja dhe Florian Hackaj. Të dy emrat dolën si kandidatë pas konsultimeve që tre të mandatuarit e Sali Berishës, (Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti) zhvilluan me drejtues të partive që renditen në kampin opozitar ose shfaqen si të tilla në raport me Edi Ramën.
Pas deklaratës së Berishës që do të mbështesë një kandidaturë të pavarur në funksion të maksimalizimit të votave opozitare, në skenë dolën edhe dy emra: aktori Florian Binaj dhe eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimihali.
Një tjetër emër i hedhur në ‘treg’ është ai i analistit Fatos Lubonja, dikur një prej miqve të afërt të Edi Ramës, sot një kritik i fortë i tij. Propozimi për kandidimin e Lubonjës është hedhur nga Drejtori i Komunikimit të PD-së, Alfred Lela, përmes një artikulli. Dhe po kështu një tjetër emër që qarkullon, por ende nuk ka asnjë reagim është ai i Edlira Çepanit, bashkëshortes së ish-deputetit të ndjerë të PD-së, Gerti Bogdani.
Pra nga momenti që Edi Rama zyrtarizoi kandidaturën e Manastirliut për Bashkinë e Tiranës, në kampin tjetër, atë opozitar, janë të paktën 5 emra të ‘pavarurish’ që kërkojnë mbështetje, të propozuar ose të vetëshpallur si kandidatë.
Dhe lista mund të pasurohet në çdo orë që kalon, nëse nga PD, si forca më e madhe opozitare, nuk do të dilet me një vendim të qartë se cilin kandidat mbështet. Deri më tani ajo që është thënë zyrtarisht ka të bëjë me faktin se partia e drejtuar nga Berisha do të japë mbështetje për një të pavarur, emri i të cilit nuk dihet.
E gjithë kjo situatë duket se po e kthen garën për Bashkinë më të rëndësishme të vendit në qesharake, ku çdo ditë, derisa Berisha të vendosë për emrin, me apo pa subjektet e tjera në opozitë, do të vetëofrohen emra si kandidatë që do të kërkojnë mbështetje.
Që ka individë që kanë dëshirë ose pretendojnë të hyjnë në një garë, qoftë kjo edhe për kryebashkiak, nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi, tregon se shumë nga të ‘pavarurit’ janë të gatshëm të hyjnë në beteja politike, ndoshta duke marrë mbi supe edhe rrisqe. Por mënyra se si kjo po ndodh me Tiranën mund t’i kthehet opozitës në një boomerang, ku nga ideja se do të maksimalizojë votat përmes një emri të pavaruri, mund të humbasë edhe votat e ithtarëve të saj, për shkak të administrimit të të gjithë procesit deri në shpalljen e kandidatit/es. Të gjithë emrat e pavarur që vetëofrohen apo propozohen, pas përzgjedhjes së emrit përfundimtar, nëse do të ketë vetëm një të tillë, mund të fragmentarizojnë votat opozitare, ndoshta po aq shumë sa edhe dalja me kandidatë të veçantë.
E ndërsa zgjedhjet afrojnë dhe kanë mbetur më pak se 30 ditë, duket se 3 negociatorët e PD-së do të nisin edhe një tur takimesh me partitë opozitare për të folur për emra konkretë kandidatësh, nëse Berisha nuk ka vendosur që të shtunën mbi atë që do të mbështesë apo asin që do të nxjerrë nga mënga, përtej emrave që qarkullojnë. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje