TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2024, 14:53

Presidenti Bajram Begaj dekoron me titullin ‘Mjeshtër i madh’ Nikollë Lesin: Kontribut i çmuar në gazetari

Shkruar nga Pamfleti

Presidenti Bajram Begaj dekoron me titullin ‘Mjeshtër i madh’

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka dekoruar sot gazetarin e njohur Nikollë Lesi me titullin “Mjeshtër i Madh".

Ky nderim i veçantë për themeluesin e njërës prej gazetave më të rëndësishme të kohës, gazetës së parë të pavarur, “Koha jonë”, lidhet pikërisht me 33-vjetorin e saj.

Gjatë fjalës së tij, Nikollë Lesi tha se këtë titull e ndante me të gjithë ata që kontribuuan për gazetën “Koha jonë”.

Presidenti Begaj falenderoi botuesin për kontributin në emancipimin e shoqërisë shqiptare nëpërmjet gazetës që krijoi dhe rriti me shumë punë e sakrifica.

"Të nderuar të pranishëm! Jemi këtu sot për t’i dorëzuar titullin “Mjeshtër i Madh” gazetarit, drejtuesit dhe botuesit të suksesshëm, Nikollë Lesi. Ky titull i firmosur nga unë disa muaj më parë, nuk u tërhoq nga zoti Lesi. Përmes një modestie të pashëmbullt, ai kërkoi që titullin ta tërhiqte në 33-vjetorin e gazetës “Koha Jonë”, pikërisht më 11 maj. Siç m’u shpreh,- ky titull shkon për kontributin, pasionin, profesionalizmin e të gjithë atyre që kanë kontribuar dhe punuar me të. Ata kanë ruajtur e kanë marrë me vete nga ajo kohë idealizmin dhe pasionin, pasi në çdo kohë këto janë vlera që duhet të shoqërojnë profesionalizmin dhe paanësinë në thënien e së vërtetës.Vetëm kështu ata kanë arritur të jenë faktorë, influencues të opinionit publik dhe të meritojnë të qenurit Pushteti i Katërt. Gëzuar 33 vjetorin Koha Jonë! Gëzuar Nikollë Lesi!", tha Begaj.

Gazeta “Koha Jonë” është gazeta e parë dhe e pavarur dhe private në Shqipëri. Ajo filloi botimin një herë në javë si gazetë lokale e rrethit të Lezhës, duke u kthyer brenda një viti në një gazetë të kërkuar e ku në vitin 1994 u bë gazeta më e madhe, e përditshme, e Shqipërisë dhe arriti kulmin në ngjarjet e vitit 1997 në 82 mijë kopje të shitura në ditë.

Ajo u përball me mjaft peripeci e vështirësi gjatë viteve të ekzistencës së saj, që nga djegia e redaksisë, arrestimi i gazetarëve dhe torturimi i njërit prej tyre, Zamir Duke, i cili ndërroi jetë pak javë më parë.

Lini një Përgjigje