TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2024, 14:17

Vizita e Ramës në Athinë, Berisha dhe Meta në unison: Do të mbushë stadiumin me patronazhistë

Shkruar nga Pamfleti

Vizita e Ramës në Athinë, Berisha dhe Meta në unison: Do
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta hodhi dyshimet e tij se kryeministri Edi Rama do e mbushë stadiumin në Athinë me qytetarë që jetojnë në Shqipëri dhe jo me emigrantë në Greqi.

Sipas Metës, qindra patronazhistë kanë ikur me autobusë për të qenë në takimin me Ramën në Athinë.

“Qindra mijëra patronazhistë kanë kaluar sot Kapshticën e Kakavijën. Nga bashkia e Maliqit ku është pylli i fazanëve ka më shumë të punësuar. Janë 20 të punësuar dhe 13 fazanë kanë ngelur. Edhe bashkia e Korçës, edhe këtej nga Gjirokastra”, u shpreh Meta.

Ndërkohë në të njëjtën linjë me Metën qëndron edhe Sali Berisha. Në fjalën e mbajtur në tubimin e përnatshëm Berisha hodhi akuza ndaj Ramës duke theksuar se vizita e tij në Greqi është një provokacion.

“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, Zoti u bekoftë ju qëndrestarëve të pamposhtur, misionarëve të vërtetë të lirisë, atdhetarisë, dinjitetit, shpresës dhe të ardhmes. Të dashur miq, njeriu që me politikat që ndoqi, me vjedhjet e tmerrshme që u bëri shqiptarëve, me vrasjen e shpresës së tyre duke shndërruar krimin në votë dhe votën në krim, de facto përzuri nga Shqipëria në 10 vite mbi 1.1 milion shqiptarë, mbi 33 përqind të shqiptarëve, përgatit në një akt cinizmi ekstrem, në një akt provokimi të turpshëm, takimin me patronazhistët dhe aktivistët e tij që kanë nisur që dje vërshimin drejt Greqisë për të stimuluar një takim me diasporën shqiptare. Në moton Shqipëria e viteve 2030”, theksoi Berisha.

Berisha, para qytetarëve ka përmendur edhe një fjalë të urtë shqiptare se, ‘kush shkon pa ftuar e gjen pa shtruar’, duke i kujtuar Ramës se nuk është i mirëpritur në Greqi.

“Miqtë e mi, takimin me diasporën të një politikani shqiptar nuk është e nevojshme ta komentosh. Por kur takimi organizohet si një provokacion, duhet vetëm ta dënosh. Së pari ne jemi shqiptarë. Fqinjë mijëravjeçarë me grekët në këtë rajon. Por ne kemi një shprehje të hershme sa vetë mikpritja jonë: kush gjen pa ftuar, e gjen pa shtruar. Në mënyrë të përsëritur, autoritetet zyrtare greke kanë deklaruar se Edi Rama vjen i paftuar. Natyrisht Greqia është djepi i demokracisë dhe nuk imagjinon të ndalojë tubimet apo takimet. Por, tradita shqiptare e kërkon të mbash mend këtë parim të mikpritjes sonë. Nuk shkohet pa ftuar, aq më tepër kur je njoftuar se je i paftuar”, tha Berisha.

berisha meta rama athine

Lini një Përgjigje