
Pasi ka lënë spitalin e Traumës, kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj i rrethuar nga qindra qytetarë, tha se nuk do të dorëzohet, edhe nëse do i duhet të qëndrojë mes të ftohtit, pa ngrohje e çadër.
Lapaj nënvizoi se përgjatë gati një muaji në bulevard, nuk ka penguar as trafikun, por nuk është dëmtuar asgjë, nuk është thyer asnjë xham apo shkulur një pemë dhe lule.
“Nuk ka asnjë qytetar në Tiranë që të thotë nuk shkova dot në punë se më pengoi Adriatiku, apo nuk shkova dot në vaki apo dasmë, nuk e ka thënë askush. Kurse Rama vetë ishte ai që nisi çadrën e madhe këtu, ishte i pari. Dhe çfarë bëjnë sjellin policinë këtu, sulmoi njerëzit, por fal Zotit nuk ndodhi gjë. Se të kishte ndodhur do e shikonte ky, trimi i madh. Se trimi i madh ky! Ka vjedhur, e thotë prokuroria, s’e themi ne. Kanë abuzuar, jeni dëshmitarë, a kemi thyer një lule, a kemi hedhur molotov, a kemi shkulur pemë, a kemi lënë mbeturina pas? Asgjë nuk kemi dëmtuar, kurse këta dhunë! Pse nuk vjen kur janë shumë protestues, por e bën kur janë pak? Sepse është frikacak!”, u shpreh ai.
Më tej Lapaj shtoi se protestën e bënë për shoqërinë shqiptare dhe jo për veten e tij. Duke nënvizuar se do të dilte në shesh edhe sikur të procedohej po përditë, ai kujtoi se Rama ishte i pari që e nisi çadrën e madhe në Bulevard.
“Kjo është protestë që nuk e bëj për veten, por edhe për vajzën, për ju. Bënë akte banditeske ndaj nesh. Le të arrestojnë çdo ditë nga një, nga dhjetë, nga 100. Ne protestojmë këtu, ata na procedojnë, jam proceduar dhjetë herë. Vjen policia këtu me 15 vetë dhe sulmon, bie bombola e gazit dhe godet njerëzit. Po të kishte ndodhur gjë? Ku do shkonte Rama, ky frikacaku i madh. S’na lënë as çadër, as ngrohëse, asgjë, por unë dhe ne do vazhdojmë të qëndrojmë këtu, në të ftohtë. Këta le të vijojnë të na procedojnë, le të më procedojnë edhe mua çdo ditë”, tha Lapaj.
Ai akuzoi qeverinë jo vetëm për skandalet e korrupsionit, por edhe me presionet që u bëheshin qytetarëve që dalin në shesh, duke u çuar Policinë në banesa.
Lapaj tha se janë 13 të proceduar dhe 4 të arrestuar nga mbështetësit e tij, por ata nuk do dorëzoheshin.
“Janë vjedhur qindra miliona lekë e euro dhe nuk hedhin një dorë kripë në rrugë, por vriten njerëzit dhe na sulmojnë ne. Këta bëjnë mbrëmje gala, kurse njerëzit në Vlorë nuk kanë ujë. Te Onkologjiku nuk ka ilaçe, këta dalin e kapardisen. Do bëj denoncim këtu. Shefit të Policisë së Cërrikut i them mos të shkoj në banesat e njerëzve e t’u thotë pse shkojnë në protestë. E kuptoni ku kemi arritur ne tani, ky është turp. 13 të proceduar penalisht, 4 të arrestuar, por ne do vazhdojmë, nuk do dorëzohemi”, u shpreh kreu i “Shqipëria Bëhet”.
Në fund ai akuzoi Policinë se ka dhunuar gjatë protestës mbështetësit e lëvizjes, duke shkaktuar edhe dëmtime trupore serioze, përveç kërcënimeve.
Lini një Përgjigje