Opozita ka nisur sot Foltoren e saj para Kryeministrisë, në një protestë që synon të godasë qeverinë për korrupsionin, varfërinë dhe arrogancën politike. Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, në një fjalim të ashpër dhe emocional, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kabinetin e tij për “vallëzim mbi vuajtjet e shqiptarëve”.
“Nuk jemi këtu për spektakël politik, por për të kërkuar llogari për mjerimin ku është zhytur ky popull”, deklaroi Boçi. Ai përmendi shifra alarmante: 46% e shqiptarëve ndodhen në rrezik varfërie apo përjashtimi social, ndërkohë që sipas tij, qeveria i ka braktisur qytetarët dhe ka kthyer institucionet në mjete për pasurim personal dhe pushtet të pakufizuar.
Boçi denoncoi me emra projekte të mëdha si Porti i Durrësit, inceneratorët, unaza dhe korridoret strategjike, që sipas tij janë kthyer në vatra korrupsioni dhe grabitjeje të pasurisë publike. “Nga Llogaraja te laboratorët, nga inceneratorët te Qafë Plloça, kjo qeveri vetëm vjedh dhe tall popullin me pensione qesharake, satelitë orbitalë dhe një parlament që s’ka më dinjitet”, theksoi ai.
Deputeti demokrat përdori tone të ashpra kundër Ramës dhe zyrtarëve të tij më të afërt, duke i quajtur “Ballukët dhe Agasët” që “hedhin vallen e vdekjes”, ndërsa qytetarët luftojnë për mbijetesë. Ai përmendi edhe mesazhin e SHBA-ve, që sipas tij “në vend të një urimi, i kujtuan Ramës se ka ndërtuar një narkoshtet në mes të Evropës”.
Lini një Përgjigje