
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, tha se kryeministri Rama ndodhet në pikën më të dobët politike. Ai theksoi se presioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar po shkojnë paralelisht drejt një zgjidhjeje politike.
Boçi u shpreh gjithashtu se protestat e opozitës do të vijojnë dhe do të përshkallëzohen në forma të ndryshme, si në rrugë ashtu edhe në parlament, me një objektiv të vetëm: largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Sipas tij, situata në Shqipëri nuk përfaqëson më një qeverisje legjitime, por një regjim të mbështetur në manipulim zgjedhor, kapje institucionesh dhe lidhje me krimin e organizuar.
“Rama është para derës së burgut. Ai po mbron pushtetin për të mbrojtur veten. SHBA na mbështet. Ka miratim të qartë që opozita të vazhdojë protestat në të gjitha format dhe mënyrat.
Reagimet ndërkombëtare mund të mos jenë të menjëhershme, por janë të vazhdueshme dhe strategjike, ndërsa presioni i qytetarëve do të jetë vendimtar.
Regjimet rrëzohen me protesta. Dhe ky regjim do të largohet nga presioni i shqiptarëve”, tha Boçi për “A2 CNN”, duke shtuar se çdo veprim i kryeministrit ka si synim shpëtimin personal dhe jo interesin publik.
Lini një Përgjigje