Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u pyet nga gazetarët edhe për shkrimtaren Lea Ypi, si një ndër emrat që është përfolur ditëve të fundit se mund të drejtojë qeverinë teknike në rast dorëheqje të kryeministrit Edi Rama dhe hapjes rrugë të zgjedhjeve të reja.
Kryedemokrati theksoi se së pari duhet që të arrijnë një marrëveshje për qeverinë teknike dhe më pas do të veprojnë dhe propozojnë një emër të mundshëm.
“PD insiston për një qeveri teknike, për një proces të drejtë zgjedhor. PD nuk avancon asnjë një emër pa arritur marrëveshja për qeverinë teknike. Pasi të arrihet marrëveshja, PD do të avancojë dhe do të paraqesë propozimet e veta krahas forcave të tjera politike”, u shpreh Berisha.
Lidhur me këto pretendime për emrin e saj, ZËRI tentoi t'i merrte një prononcim Ypit, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk kemi një përgjigje.
Ypi ka folur për mediat lidhur me këtë diskutim. E ftuar në emisionin “Off the Record”, Ypi tha se momentalisht është e përqendruar te librat dhe puna akademike, dhe se deri tani nuk e ka menduar veten si pjesë e politikës, por nuk e përjashton totalisht si mundësi.
“Mendoj që ne të gjithë jemi të angazhuar në politikë, në kuptimin e pushtetit. Pushteti merr forma të ndryshme dhe unë deri tani nuk kam interes ose ambicie të ushtroj pushtet në kuptimin e vendimmarrjes institucionale. Ka forma të tjera në të cilat njeriu mund të kontribuojë në shoqëri, dhe nuk është e thënë që dikush që është intelektual i mirë apo gazetar i zoti të jetë edhe politikan i mirë. Për momentin prioritetet e mia janë librat, shkrimi dhe angazhimi me lexuesit. Nuk dua as të hap, as të mbyll këtë mundësi.”- u shpreh Ypi.
Sa i përket situatës politike në vend, Ypi shprehu shqetësime për mungesën e debatit ideologjik. Sipas saj, Shqipëria aktualisht nuk ka as të majtë, as të djathtë në kuptimin tradicional, dhe ideologjia dominante është ajo e integrimit në Bashkimin Europian.
Lini një Përgjigje