Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar protestën e opozitës para Kryeministrisë, duke e krahasuar më shumë me një "dasmë të zbehtë" sesa një lëvizje politike serioze. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Balla ka zgjedhur të godasë protestën me batuta dhe referenca simbolike që ngërthejnë edhe ngjarje të rënda si ajo e 21 Janarit.
“Sot krushqve ju falet që nuk e prishën fare rehatin e festave dhe nuk u dukën këtej nga dasma ke Rogneri. Ndoshta ca e ngatërruan dasmën me atë fejesën dje në drekë. Ose do i ketë rënë pak rëndë gjeli i detit dhe bakllavaja. Se s’ka mundësi”, shkruan Balla, duke ironizuar mobilizimin e dobët të opozitës dhe duke aluduar për një festim të vetëkënaqur në vend të një proteste reale.
Por krahas ironisë, Balla nuk harron të shënjestrojë një moment kyç të deklaratave opozitare. “Njëri nga hyzmeqarët sulmoi pa dashje kryebufin ndërsa fliste për krimet e Maduros, iu referua krimit të vrasjes së protestuesve nga diktatori i Venezuelës në 2019. Ke plotësisht të drejtë. Kush ka dhënë urdhër të qëllohet mbi popullin, duhet të përballet me drejtësinë,” shkruan ai, duke e lidhur këtë me ngjarjen e 21 Janarit 2011, ku u vranë katër protestues në bulevardin përballë Kryeministrisë.
“15 vjetori i 21 Janarit po afron dhe këmbanat bien më shumë se kurrë,” përfundon Balla, duke dhënë një sinjal të qartë se drejtësia për atë ngjarje ende të pambyllur në ndërgjegjen publike, mund të rikthehet fuqishëm në agjendën institucionale.
Lini një Përgjigje