TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Mars 2025, 15:28

Ç’po ndodh në Bashkinë e Tiranës? Pasi shkarkoi njerëzit e Veliajt, Ristani lavde Ramës: Na ka qëndruar pranë

Shkruar nga Pamfleti

Ç’po ndodh në Bashkinë e Tiranës? Pasi shkarkoi

Pasi shkarkoi nga detyra dy nga të besuarit e Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, që mbanin pozicione kyçe, Anuela Ristani u kujdes t'i shprehte falenderime Kryeministrit Edi Rama, i cili sipas kryetares së deleguar, i ka qëndruar pranë stafit të Bashkisë, në këto ditë të vështira...

Në Bashkinë e Tiranës nuk ka krizë funksionale. Kështu u shpreh Anuela Ristani, Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, pak minuta pasi firmosi shkarkimin e Alban Dobrushit si Sekretar i Përgjithshëm, ndërsa në këtë pozicion është komanduar Jonida Halili.

Dobrushi konsiderohej si një nga të besuarit e Veliajt, kryebashkiakut që ndodhet në paraburgim me vendim të Apelit të GJKKO-së, pas kërkesës së SPAK. Gjithashtu Ristani ka shkarkuar edhe nënkryetaren Sara Goxhaj, një tjetër emër i konsideruar si e besuar e Veliajt. 

Por pavarësisht kësaj, Ristani tha se Bashkia e Tiranës nuk ka asnjë krizë, ndërkohë që nuk harroi të shprehte falenderime për Kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit nga momenti i arrestimit të Veliajt, u rikthye në Bashkinë e Tiranës, duke marrë në dorë situatën, gjë që është interpretuar si një 'uzurpim' i Bashkisë më të madhe në vend.

Gjithsesi Ristani në deklaratën e saj u kujdes që të vlerësonte edhe kryebashkiakun e arrestuar, duke pohuar se puna vazhdon me të njëjtin vizion që e ka udhëhequr këtë institucion Erion Veliaj.

“Unë kam qenë 10 vite përkrah Veliajt, kam punuar kaq shumë kohë për t’i shërbyer qytetit. Nuk ka asnjë media, që të shuajë respektin për Veliajn dhe për respektin ndaj tij, duhet të punojmë e të punojmë.

Në fund historia do kujtojë veprat dhe jo thashethemet. Dua të shpreh mirënjohje edhe për kryeministrin Edi Rama, që në këto ditë të vështira na është gjendur pranë. Të gjitha kanalet tona janë të hapura”, tha Ristani.

Deklarata e Anuela Ristanit

E ndiej si një detyrim ndaj secilit prej jush që, pas një sërë njoftimesh që kanë qarkulluar këto ditë në media, të ndaj sot në këtë konferencë për shtyp një sqarim të plotë mbi mënyrën se si po vijon puna në Bashkinë e Tiranës dhe si po menaxhohet institucioni që drejton kryeqytetin e vendit tonë.

Kryetari i zgjedhur i Tiranës, Erion Veliaj, në përpjekje për të garantuar vijimësinë e punëve të nisura, sic e sqaroi dhe vetë dje nëpërmjet statusit në rrjetet e tija sociale ka marrë disa vendime. Këto vendime te marra në kushtet e një informacioni të cunguar, por edhe të pasqyruara në media në mënyrë të nxituar dhe të pakonfirmuara asnjëherë nga Bashkia e Tiranës, kanë krijuar një keqkuptim dhe kanë sjellë konfuzion dhe shqetësim të panevojshëm, të cilin e sqaroi ai dje vetë.

Nuk ka asnjë krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës. Puna vazhdon me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën energji dhe me të njëjtin vizion që na ka udhëhequr ndër vite nën drejtimin e Kryetarit Erion Veliaj.

Ne nuk do të ndalojmë së punuari për qytetin e së ardhmes, për fëmijët tanë, për një Tiranë që nesër do të na bëjë krenarë përpara tyre. Këtë e kemi për detyrë – ndaj qytetit, ndaj çdo qytetari të Tiranës.

Po ashtu, më lejoni të ndaj me ju edhe një mesazh personal. Kam qenë pjesë e kësaj Bashkie dhe e ekipit të drejtuar nga Kryetari Erion Veliaj prej 10 vitesh. Kam punuar çdo ditë përkrah tij, duke sakrifikuar kohën me familjen time për t’i shërbyer qytetit tonë. Për ne, Bashkia e Tiranës ka qenë gjithmonë më shumë sesa një institucion – ka qenë një mision i përbashkët. Nuk ka masë sigurie apo artikull mediatik që mund të zbehë respektin dhe besimin që kemi ndërtuar me njëri-tjetrin.

Unë besoj fort se mënyra më e mirë për të nderuar punën dhe përkushtimin e Erion Veliajt është që Bashkia Tiranë të vijojë të kryejë punët më së miri për qytetarët e saj. Sepse në fund, historia do të kujtojë veprat dhe jo fjalët – punën që shihet dhe jo thashethemet që i merr era. Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen time për Kryeministrin z. Edi Rama, i cili, në këto ditë sfiduese, po i qëndron pranë stafit të Bashkisë dhe qytetit të Tiranës.

Në përfundim, për çdo qytetar që kërkon informacion të saktë, të gjitha kanalet tona të komunikimit mbeten aktive. Zyra e Komunikimit me Qytetarët vazhdon të jetë në dispozicion me përgjegjshmëri dhe përkushtim në sportelet përkatëse. Numri i gjelbër 0 800 0 888 është gjithashtu në funksion, së bashku me adresat tona online në [email protected].

Lini një Përgjigje