TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Mars 2025, 14:53

BE rrëzon zërat për bllokim të negociatave: Dy grupkapitujt e tjerë hapen në javët e ardhshme

Shkruar nga Pamfleti

BE rrëzon zërat për bllokim të negociatave:

Komisioni Europian ka konfirmuar se nuk ka asnjë bllokim në procesin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, duke përgënjeshtruar kështu Sali Berishën dhe mediat pranë tij që prej ditësh aludonin për bllokim të negociatave.

Një zyrtar i Komisionit Europian i tha ekskluzivisht Report Tv se jo vetëm që nuk ka bllokim të negociatave, por po vijon puna për mbajtjen e konferencës së katërt ndërqeveritare, për të hapur zyrtarisht, ashtu siç ishte premtuar grupkapitujt, "Tregu i brendshëm" dhe "Konkurrueshmëria e rritja gjithëpërfshirëse".

Për këtë, thotë zyrtari i Komisionit Evropian për Report Tv, janë duke vijuar diskutimet në Këshill, bazuar në propozimet e Komisionit. Ndërkohë, në reagim theksohet se po diskutohet hapja e të gjitha grupkapitujve. 

Jo, nuk ka asnjë bllokim në procesin e negociatave me Shqipërinë. Në fund të vitit 2024, Shqipëria hapi dy grupkapitujt e parë brenda një periudhe të shkurtër kohe dhe dinamika në negociatat e anëtarësimit vazhdon ende.

Siç u përmend nga Komisionerja Kos gjatë misionit të saj në Tiranë javën e kaluar, Komisioni sheh perspektiva të mira që grupkapitujt 2 (Tregu i Brendshëm) dhe 3 (Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse) të hapen në javët në vijim, përmes mbajtjes së një Konference Ndërqeveritare. Diskutimet janë duke vijuar në Këshill, bazuar në propozimet e Komisionit.

Vijojnë gjithashtu përgatitjet për dy grupkapitujt e fundit (4 – Axhenda e Gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme, dhe 5 – Burimet, bujqësia dhe kohezioni), duke u mbështetur në rezultatet e procesit të shqyrtimit”, thuhet në reagim.

Po për këtë çështje sot pati një reagim edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili i dha një përgjigje opozitës dhe mediave pranë saj që shkruan ditët e fundit për shtyrje të negociatave me BE.

“Jemi të motivuar për tu bërë anëtarë të BE brenda 2030. Do vazhdojmë me hapjen e kapitujve ndryshe nga sa është thënë ditët e fundit ndryshe nga sa është thënë nga këneta”, tha Rama.

Ndërkohë më 18 mars, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian diskutoi progres-raportin për Shqipërinë i hartuar nga Andreas Schieder, raportuesi i PE-së për Shqipërinë. Në draft raport vlerësohet progresin i bërë drejt integrimit.

Eurodeputetët përshëndetën përparimin e Shqipërisë në Integrimit Evropian, të evidentuar në hapjen e grup-kapitujve dhe ambicies për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027, duke vënë theksin veçanërisht në  progresin e drejtësisë e duke evidentuar se SPAK po godet korrupsionin në nivele të larta./ Shqiptarja

Lini një Përgjigje