
Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka shpjeguar arsyen e largimit të tij nga PS-ja dhe prishja e marrëdhënieve me kryeministrin Rama.
Në një intervistën për “Syri Tv”, Ahmetaj u shpreh se një gjysmë e vërtetë e prishjes së marrëdhënieve të tij me Ramën, ishte një takim rastësorë me pronarin e një media në Shqipëri, me të cilin kryeministri nuk i kishte marrëdhënie të mira asokohe.
E gjithë sajesa për përjashtimin e tij nga PS-ja, sipas tij u bë, për shkak të një fotoje të tij me Irfan Hysenbelliun i është dërguar Ramës nga një kolege e tij, e dyshuar të jetë Belinda Balluku.
Pjesë nga intervista:
Çim Peka: Urgjenca ishte se Edi Rama kishte dhënë një urdhër që asnjë ministër dhe asnjë zyrtar i lartë i PS-së të mos shoqërohej me pronarin e News24, Irfan Hysenbelliu. Indicia dhe argumenti sipas dy qendrave të Tiranës, ishte se ju menjëherë pas betimit të Bajram Begajt, po drekonit me Irfan Hysenbelliu. Madje Ramës i është dërguar një foto nga dreka ku ju ishit.
Arben Ahmetaj: Jo nuk është tamam kështu. Mos shkëputemi nga gjëja.
Çim Peka: Arsyeja e Ramës, sipas tij.
Arben Ahmetaj: Qarkullon një, po quaj gjysëm thashetheme, gjysëm e vërtetë që marrëdhënia ime me Irfan Hysenbelliun, mund të ketë qenë një nga arsyet që unë jam larguar. Po të ishte kjo, do të ishte po kaq perverse dhe fëminore. Do preferoja të ngelej te perversja se sa te kjo fëminorja. Dhe arsyeja ishte simbolike për të ju treguar medemek shqiptarëve se po largoj njeriun e Ilir Metës. Unë dhe Ilir Meta nuk kemi qenë ndonjëherë miq me njëri tjetrin. Edi Rama dhe Ilir Meta kanë qenë të njëri tjetrit. Unë kam qenë i PS-së. Mund të më quash të Nanos, disa kohë të Edi Ramës, por unë kam qenë i PS-së, dhe unë nuk kam pasur ndonjëherë marrëdhënie varësie, apo vasaliteti me Ilir Metën. Jo. Asnjëherë. Ishte simbolik. Dhe atë natë është thënë një fjali, kur është mbledhur ish-sekretari i Përgjithshëm. Meqë ra fjala, një nga arsyet që nuk është sekretar i Përgjithshëm është se i ka thënë Ed Ramës, sigurisht që Damiani edhe mund ta mohojë, punët e tij, i ka raportet me të vërtetën vetë, jo me mua, se i ka thënë që, ajo që po ndodh me Arben Ahmetaj së pari është shkelje procedurale nga ana e SPAK, së dyti është e gabuar. Kjo është arsyeja pse ka ikur nga sekretar i Përgjithshëm, por nuk dua të kërcej nga dega në degë.
Çim Peka: Gjiknuri ka ikur sepse Ramës do ti duhet një kokë turku për McGonigal dhe të jesh i sigurtë që para vetes, Damiani nuk është asgjë.
Arben Ahmetaj: Z. Peka ne mund të kthehemi tek McGonigal, nëse do të duash, por dua që të i lidh gjërat pse është politike.
Çim Peka: Njëlloj si ju që keni deklaruar tek kolegu Fevziu, se nuk e kisha fuqinë që të firmosja 17 VKM brenda ditës, çfarë ju e keni bërë të qartë se këtë fuqi e kishte vetëm kryeministri, edhe Damian Gjiknuri ka thënë se unë e takova McGonigal, pasi e kishte takuar kryeministri. Pra në një farë forme i ka bërë sfidë, prandaj Damian Gjiknuri për këtë punë është spostuar. Do të jetë koka e turkut për McGonigal. Do të heshtë apo do të mbrohet, siç ju po mbroni të vërtetën tuaj, unë nuk e di, por këtu do të jemi.
Arben Ahmetaj: Nuk dua të flasim për Gjiknurin. Unë Damianin e njoh në shumë kënde. Ajo që doja të thosha ishte, se unë atë ditë kur jam shkarkuar në 24 korrik 2022, u fol se përpara se të dilnim në inaugurim, 7-8 anëtarë të anëtarë të kabinetit u ndaluam për kafe te Rogner, dhe aty rastësisht unë kam takuar Irfanin dhe e kam takuar, përqafuar. Gjysëm thashetheme, gjysëm e vërteta thotë se një nga ministret, aspirante e madhe, ka bërë foto dhe ja ka nisur kryeministrit.
Çim Peka: Belinda Balluku?
Arben Ahmetaj: Nuk e di. Por e vërteta qëndron ndryshe, ishte e përgatitur sepse unë e pashë komplet atmosferën rreth meje, politike, administrative e shoqërore. Kjo ishte arsyeja pse unë i kam kërkuar të largohesha. Në qershor të 2022 u bë kongresi i PS-së dhe temat ishin, rindërtimi dhe pandemia. Unë isha njeriu i parë që kam menaxhuar rindërtimin dhe një nga dy njerëzit që kam menaxhuar pandeminë, flamuj që fituan në zgjedhjet e 2021. Me qëllim, nuk u lejova të flisja.
Lini një Përgjigje