Thomas Waitz, eurodeputeti i cili mbërriti mëngjesin e kësaj të marte në Shqipëri së bashku me kolegë të tjerë nga Parlamenti Europian, ka zbuluar disa detaje nga biseda e tij me kryeministrin Rama.
Në axhendën e shpërndarë paraprakisht delegacioni kishte një takim dhe me kryeministrin në orën 10, por që nuk u zhvillua, ndërkohë që nga zyra e kryeministrit nuk jepen shpjegime. Por një nga eurodeputetët pranoi se ishin takuar me Ramën në ambientet e hotelit ku po qëndrojnë mëngjesin e sotëm.
Eurodeputeti Waitz e përshkroi atë si një moment humoristik.
Ai citoi Ramën duke thënë: “Po ju vëzhgoj! E di çfarë po bëni.”
Kjo frazë miqësore gjatë takimit të kryeministrit me delgacionin e BE, ndodhi në hotelin ku u akomoduan eurodeputetët.
Delegacioni i Bashkimit Evropian mbërriti në Tiranë për mbajtjen e takimit të 18-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri (SAPC).
Ky forum zyrtar shërben për të vlerësuar progresin në marrëdhëniet BE-Shqipëri dhe për të përcaktuar prioritetet për të ardhmen.
Pjesë e delegacionit të Parlamentit Europian që ka mbërritur në Tiranë është dhe eurodeputeti Fredi Beleri, ish-kryetari i Bashkisë së Himarës, i cili humbi mandatin pasi u dënua me vendim të formës së prerë për korrupsion zgjedhor.
Delegacioni zhvilloi takime në Kryesinë e Kuvendit me grupet parlamentare dhe në orën 15 do të nisë dhe sesioni i parë i takimit të Stabilizim-Asocimit, ku nuk do të mungojnë, pavarësisht strategjisë së javëve të fundit dhe deputetët demokratë.
Eurodeputetët kur kanë dalë nga Kryesia janë ndeshur me një situatë aspak normale ku Fredi Beleri u qëllua me vezë dhe kos nga një qytetar.
Lini një Përgjigje