TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Mars 2025, 18:22

Plas në PD, më i votuari në primare në Tiranë tërhiqet nga kandidimi; si u mashtrua Hysen Kadiu nga Berisha

Shkruar nga Pamfleti

Plas në PD, më i votuari në primare në Tiranë

Vendimi për të mos qenë pjesë e listës së hapur të PD-së për Tiranën nuk ishte një vendim i lehtë, por ishte i duhuri për të lënë vetes kohën e nevojshme për të reflektuar mbi angazhimin e mëtejshëm politik dhe gjithashtu për t’i treguar bashkëqytetarëve të mi se dinjiteti

Situata në Partinë Demokratike po nxehet, teksa po përmbyllen listat e kandidatëve për deputet. Pas Dashnor Sulës që njoftoi se nuk ishte në listat e kandidatëve për deputet, një tjetër emër, më i votuari në primaret e Tiranës, Hysen Kadiu, ka deklaruar se nuk do të kandidojë për zgjedhjet e 11 majit.

Në një postim në rrjetet sociale, Kadiu madje zbulon se si fitues i primareve i ishte premtuar se do të ishte në listën e mbyllur të Qarkut të Tiranës, por më pas gjithçka ka ndryshuar.

“Ndryshe nga sa kisha diskutuar dhe rënë dakord më herët me drejtuesit e lartë të PD-së, emri im nuk u përfshi në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë. Për të qenë pjesë e primareve, sipas statutit të partisë, dhashë dorëheqjen si kryetar i degës së Kavajës, ku të gjithë së bashku kemi punuar fort duke ruajtur PD-në të bashkuar dhe duke fituar bashkinë dy vjet më parë”, shkruan Kadiu.

Në reagimin e tij, Kadiu shkruan se një parti e madhe dhe me vlera si PD nuk mund të shndërrohet në një parti që bën qoka për të preferuarit e qendrës dhe lë jashtë prioriteteve qëndrestarët e vërtetë, që i kanë qëndruar pranë në kohë të vështira dhe që janë përpjekur çdo ditë të bëjnë më të mirën për të.

Ashtu sikundër ishte paralajmëruar duket se Berisha po harton lista me besnikët e tij dhe jo me njerëzit më të votuar të Primareve. Në Tiranë më të votuarit nga Primaret ishin Hysen Kadiu, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Ilir Alimehmeti, por asnjë prej tyre nuk u përfshi në listën e sigurtë.  

Postimi nga Hysen Kadiu

Së pari, dua të falënderoj familjen time, miqtë, shoqërinë, të njohur e të panjohur në Kavajën time, që besuan tek unë dhe më votuan në primaret e PD-së, duke më dhënë besimin për të qenë në listën kryesore të kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës. Pas disa bisedave me kryetarin e PD-së, zotin Sali Berisha, vendosa të mos jem pjesë e listës së hapur për qarkun e Tiranës.

Ndryshe nga sa kisha diskutuar dhe rënë dakord më herët me drejtuesit e lartë të PD-së, emri im nuk u përfshi në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë. Për të qenë pjesë e primareve, sipas statutit të partisë, dhashë dorëheqjen si kryetar i degës së Kavajës, ku të gjithë së bashku kemi punuar fort duke ruajtur PD-në të bashkuar dhe duke fituar bashkinë dy vjet më parë. i gjithë rrugëtimi im në PD, që nga dita e parë si adoleshent e deri në fitoren e pak ditëve më parë, është i lidhur ngushtë me Kavajën dhe qytetarët e saj, që meritojnë një përfaqësim dinjitoz. Kavaja nuk mund të konsiderohet vazhdimisht si hambari i votave për PD, ndërsa përfaqësimi i saj në listat e deputetëve të jetë i padenjë.

Është e gabuar të mendosh se unë i trembem një gare në një listë të hapur. Faktet dhe votimet e fundit për zgjedhjet lokale dhe primaret treguan qartë forcën dhe peshën e demokratëve të Kavajës. Por angazhimi, përkushtimi, serioziteti dhe pasioni për të bërë më të mirën për demokratët, përveç votave të marra, duhet të përkthehet edhe në vlerësim për ata që kanë dhënë kontributin e tyre. Një parti e madhe dhe me vlera si PD nuk mund të shndërrohet në një parti që bën qoka për të preferuarit e qendrës dhe lë jashtë prioriteteve qëndrestarët e vërtetë, që i kanë qëndruar pranë në kohë të vështira dhe që janë përpjekur çdo ditë të bëjnë më të mirën për të.

Vendimi për të mos qenë pjesë e listës së hapur të PD-së për Tiranën nuk ishte një vendim i lehtë, por ishte i duhuri për të lënë vetes kohën e nevojshme për të reflektuar mbi angazhimin e mëtejshëm politik dhe gjithashtu për t’i treguar bashkëqytetarëve të mi se dinjiteti dhe fjala e mbajtur kanë qenë vlerat mbi të cilat e kam krijuar marrëdhënien shumëvjeçare me ta dhe parime mbi të cilat nuk do të shkel kurrë.

Unë, si Hysen, dhe familja ime do të mbetemi ashtu siç kemi qenë gjithmonë: demokratë të vlerave qytetare, me besimin në Zot që na drejton në rrugën tonë të përditshme dhe me besimin e përhershëm se e drejta do ta gjejë rrugën e vet, sado e ndërlikuar të jetë bërë rrugës.

Lini një Përgjigje