
Sulmet ndaj Marsida Xhaferllarit kanë ndarë PD. Njerëz dhe media pranë Berishës e kanë sulmuar shumë fort gjyqtaren e Kushtetueses, duke e detyruar që kjo e fundit të japë dorëheqjen nga çështja kundër Berishës. Mirëpo duket se grupi i Bardhit ka dalë kundër. Marash Logu ka bërë një status në rrjetet sociale që e kundërshton këtë gjë, teksa postimi i tij ka marr pëlqimin e Bardhit dhe Jorida Tabakut.
Statusi i plotë
Sulmi ndaj gjyqtares Marsida Xhaferllari është i padrejtë. Në të gjitha cështjet e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që kam përfaqësuar prej shtatorit 2021 në Gjykatën Kushtetuese, qëndrimi i gjyqtares Xhaferllari, së bashku me gjyqtaren Sonila Bejtja, ka qenë tërësisht korrekt dhe profesional. Mund të mos kemi rënë dakord për cdo gjë, por fundja aftësia e avokatit është të vlerësojë profesionalizmin e gjyqtarëve, edhe kur nuk japin vendime vetëm në favor të tij.
Madje, për shkak të korrektësisë dhe profesionalizmit të gjyqtareve Xhaferllari dhe Bejtja, shpeshherë janë etiketuar padrejtësisht si gjyqtaret e opozitës dhe janë cënuar në punën e tyre. I njëjti etiketim dhe sulm nuk është përdorur ndaj atyre gjyqtarëve - lidhje të ngushta familjare apo shoqërore të mazhorancës socialiste - që kanë votuar kundër cdo kërkese të opozitës, pavarësisht cili ka qenë objekti i saj. Edhe sulmi që iu bë pak kohë më parë gjyqtares Bejtja, dhe tanimë gjyqtares Xhaferllari, duket të kenë të njëjtin motivim.
Keqardhja në këtë rast nuk ka të bëjë vetëm me sulmet në vetvete, por burimi nga ato vijnë. Ndërkohë që sulmet nga mazhoranca socialiste dhe satelitët e tyre mediatikë janë të pritshme e të kuptueshme, Partia Demokratike ka për detyrë të vlerësojë qëndrimet e gjyqtarëve kushtetues që i kanë qëndruar me besnikëri Kushtetutës dhe ligjit, duke i rezistuar presioneve të pushtetit ekzekutiv. Mund të kemi shumë kritika për punën e Gjykatës Kushtetuese dhe personalisht kam pasur jo pak, por nëse ka një gjyqtare që i bën nder asaj trupe është Marsida Xhaferllari.
Lini një Përgjigje