TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Shtator 2024, 20:22

"Përplasje" në mbledhjen e Këshillit të PD-së/ Murrizi debate të forta me Nokën dhe Palokën!

Shkruar nga Pamfleti

"Përplasje" në mbledhjen e Këshillit të

Murrizi iu drejtua më pas Flamur Nokës, duke akuzuar këtë të fundit se ka ndikuar në listat e drejtuesve politikë të formuluara nga Berisha.

Mbledhja e Këshillit të Partisë Demokratike është shoqëruar me debate të forta dhe përplasje. Ka qenë pikërisht një nga zërat më kritik brenda PD-së, Myslym Murrizi, ai i cili ka shkaktuar zhurmën më të madhe në mbledhje.

Kritikat e këtij të fundit kanë qenë të shumta sa i takon organizimit dhë më gjerë. Ai kritikoi zgjedhjet e bëra për drejtuesit e qarqeve, teksa akuzoi Sekretarin e Përgjithshëm, Flamur Noka se ka ndikuar te Berisha për përpilimin e këtyre listave.

Murrizi ka shkuar edhe më tej në përplasjen me Nokën dhe Palokën, teksa e ka quajtur si të pamoralshme bashkimin me të rikthyerit nga Basha.

Berisha i ka bërë listat e drejtuesve politikë por ke qenë ti Flamur që i ke fryrë në vesh”, tha ai, ndërsa shtoi se demokratët nuk mund të motivohen kur figura si Tabaku apo Gjekmarkaj kanë thënë se “Berisha vdiq politikisht” apo se “do të hidhen nga ballkoni po erdhi Berisha”.

Nga ana tjetër, Edi Paloka replikoi duke theksuar se qëllimi i tyre ishte të mundësonin një qeveri teknike dhe se askush nuk i kishte hequr të drejtën e fjalës. Ai theksoi se pavarësisht përçarjeve, kishte ende një mundësi për të punuar së bashku për të arritur qëllimet e partisë.

Murrizi ka kërkuar llogari edhe se përse dy nga qarqet kryesore në vend si Lezha dhe Fieri i janë besuar Gjekmarkajt dhe Bardhit, pasi këta të fundit kanë lëshuar breshëri akuzash në drejtim të Sali Berishës.

Debati mes tyre:

Murrizi: Do mërziteni nga ajo që do them, por se kam problem. Gabim që keni nxjerrë mediat jashtë (I drejtohet Palokës). Berisha tha “sulm” por ne e kemi trajnerin me të kuqe. Me çfarë ta bëjmë sulmin me mbrojtës? Kush ka gjujt nga ju? Berisha i ka bërë listat e drejtuesve politikë, por ke qenë ti Flamur që i ke fryrë në vesh. E kemi parë në media me kohë listën e drejtuesve të qarqeve. Agron Gjekmarkaj ka thënë do hidhem nga ballkoni po erdhi Berisha. Jorida Tabaku tha vdiq Berisha politikisht. Si mund të motivohen demokratët? Ne e nisëm foltoren që të ketë vlerë vota. Por Bardhi dhe Gjekmarkaj nuk u zgjodhën me votë. Erdhën si të bashkuar në diversitet e na u bënë diversante. Te vijnë të votohen. Pyet Bardhin pse se ke çuar emrin e Berishës si anëtar i Grupit Parlamentar. Bardhi thotë nuk është e vërtetë, është dërguar në maj. Pse drejtuesit politik mos të votoheshin? A do ngjisni ju nëpër qarqe? Duhet të jemi të ndershëm me anëtarësinë. Nëse Berisha do të jetë i arrestuar harrojeni se do ngjisim tek qytetarët. Gjysma e këtyre që do marrin mandatet do të përjashtojnë ty prap, i drejtohet Flamurit. Si hyjmë në qeveri teknike? Keni bërë pazar me Ramën, na e sqaroni. PD duhet të hapet, kemi vuajtur sepse s’kemi folur duhet të flasin të gjithë.

Paloka: Qëllimi ynë të mundësojmë qeveri teknike. Askush nuk j’ua ka hequr të drejtën e fjalës.

Noka: PD ka si bazë debatin e brendshëm. Debati është i shëndetshëm dhe i domosdoshëm. Ne jemi në demokraci, por jo në kaos. Çdo demokrat kudo të jetë ka të drejtë të flasë dhe ne do ta dëgjojmë. Postimet në rrjete sociale kundër figurave të PD-së janë propagandë. Drejtuesit politikë janë tager i Kryetarit të PD. Mund t’i fryj unë ose dhe ti Myslim, por nuk ndikohet Sali Berisha. Ne jemi duke hyrë në një betejë. A kemi difekte dhe të meta po kemi, se jemi njerëzor. Kemi 3 vjet ne luftën e brendshme, por sot jemi të gjithë bashkë. Ne jemi në demokraci, por jo në anarshi që do të thotë respekt për statutin, Kushtetutën tonë dhe institucionet e Partisë. Jemi duke hyrë në një betejë pa kthim dhe pa ndalim. Ndaj të stopojmë çdo sulm ndaj njëri- tjetrit. Gjekmarkaj si nënkryetar i PD artikulon në çdo institucion ndërkombëtar kërkesën për lirimin e liderit tonë. Vetëm të bashkuar ecim drejt fitores.

Gjithashtu, përplasje ka pasur edhe mes gazetarit Osman Stafa dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka.

Gazetari pyeti drejtuesit e qarqeve: “A do e pranoni sfidën që të jeni të renditur poshtë në listë?”, ndërsa Noka u përgjigj duke shpjeguar se lista e drejtuesve të qarqeve është një kompetencë ekskluzive e Kryetarit të PD-së.

Ai theksoi se Neni 46, pika 2 i statutit të partisë lejon Kryetarin të ngrejë ekipe ndihmëse për të asistuar në këtë proces.

Noka gjithashtu u përgjigj edhe në pyetjen e një anëtari lidhur me largimin e Alizotit nga drejtimi politik i Beratit, duke thënë se kjo ishte në përputhje me kërkesën e Alizotit për t’u transferuar në Tiranë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka iu përgjigj komentit të Stafës duke theksuar se nëse Edi Rama do të vjedhë zgjedhjet, nuk do të ketë më artikulime nga ana e tij për këtë problematikë, por theksoi se përgjegjësia për rezultatet e zgjedhjeve është e partisë dhe se ata nuk duhet të hyjnë në zgjedhje për të fituar një mandat, por për të luftuar për një kauzë më të madhe.

Ai e përshkroi këtë betejë si një “betejë jetë a vdekje” dhe theksoi se ndarja e brendshme nuk duhet të shihet si një sfidë personale, por si një mundësi për të bashkuar forcat dhe për të rrëzuar Ramën. Paloka nënvizoi rëndësinë e fushatës si një “luftë” në kuptimin figurativ, duke kërkuar një angazhim të fortë dhe të palëkundur nga të gjithë anëtarët e partisë.

Kujtojmë se, pasditen e sotme kreu i PD, Sali Berisha mbajti fjalën e tij i cili u shpreh optimist duke thënë se ky është shtatori i fundit i opozitës. Berisha e mbylli fjalën pa deklaruar një datë për nisjen e protestave. Ai kërkoi angazhim maksimal nga strukturat e partisë, takim derë më derë me qytetarët dhe përgatitje për aksionin final drejt zgjedhjeve të 2025-s./Pamfleti 

Lini një Përgjigje