
Pasditen e sotme është mbledhur Këshilli i Partisë Demokratike. Kreu i PD, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij i cili u shpreh optimist duke thënë se ky është shtatori i fundit i opozitës.
Sipas tij, rotacioni nuk do të vonojë dhe PD do të marrë pushtetin në vitin 2025. Berisha u shpreh se këto 9 muaj deri në zgjedhjet e ardhshme janë një betejë finale, ndërsa theksoi se në demokratëve duhet t;i shihet në sy bindja për fitore.
“Ky është shtatori i fundit që na gjen në opozitë. PD në vitin 2025 merr pushtetin, rrotacioni nuk mund dhe nuk do të vonojë më. Rrotacioni është në duart tona, në guximin dhe sakrificën tonë dhe nuk ka asnjë opsion tjetër.
Kemi hyrë në muajin e 9 përpara betejës finale elektorale. Në 9 muaj kemi përballjen finale kundër të keqes që në 11 vite asgjësoi procesin e vërtetë elektoral, plaçkiti dhe dëboi masivisht shqiptarët. I them këto se çdo demokrat dhe demokrate kur të kërkojë votën për PD demokratëve duhet ti shihet në sy bindja për fitore, demokratëve duhet ti dëgjohet në zë bindja për fitore, duhet ti lexohet në shpirt bindja për fitore, demokratëve duhet t’u lexohet në trup bindja për fitore, e gjithë kjo sepse më shumë se kurrë fitorja qëndron në guximin, besimin dhe duart tona.
Këto vite PD e plagosën, e plagosën jo pak, kjo nuk mohet. Me sulmin që na u bë kemi luftuar më shumë në mbrojtje sesa në sulm. Duhet të mbronim flamurin tonë, duhet të mbronim programin tonë, pluralizmin politik në Shqipëri që po jepte shpirt, duhet të mbronin opozitën shqiptare.
Sot kjo betejë ka mbaruar, realiteti është krejt i ri, kushtet kanë ndryshuar. Sot ne jemi të bashkuar, sot jemi PDSH më e fortë se kurrë”, tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Lini një Përgjigje