Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me deklarimet se ka pasur një urdhër nga selia blu për bojkotimin e protestës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbajtur më 17 tetor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, PD e ka cilësuar si të pavërtetë këtë pretendim, duke mohuar kategorikisht ekzistencën e ndonjë udhëzimi, verbal apo me shkrim, për të mos marrë pjesë në miting.
“Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë urdhër, verbal apo me shkrim, që përfaqësues apo mbështetës të saj, të mos jenë në mitingun mbështetës për ish-krerët e UÇK-së, në proces gjyqësor në Hagë,” thuhet në deklaratë.
PD e konsideron lajmin si pjesë të një “skenari të përhershëm anti-opozitar”, të cilin e lidh me atë që e cilëson si propaganda e “Ramaduros”.
Duke përmendur edhe deklaratat e mëparshme të kryetarit Sali Berisha, PD rikujton se qëndrimi i saj për luftën e UÇK-së është i qartë dhe i pandryshuar.
“Kauza e UÇK, lufta e saj dhe e popullit shqiptar të Kosovës, janë jo vetëm të drejta, por edhe pjesë e nderit të përjetshëm të kombit dhe çështjes kombëtare shqiptare” përfundon reagimi.
Lini një Përgjigje