
Partia Demokratike mban sot Kuvendin Kombëtar, ku krahas ndryshimeve statutore që pritet të miratohen, do të zgjidhen edhe emrat e rinj të Këshillit Kombëtar. Kjo do të shënonte edhe fillesën e procesit për zgjedhjen e strukturave të tjera drejtuese të PD-së. Këshilli Kombëtar, bazuar në statusin e PD-së, zgjedh anëtarët e Kryesisë, Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët, si dhe anëtarët e Sekretariatit, process që pritet të përmbyllet brenda 1 jave, referuar burimeve nga PD.
Kuvendi do të zhvillojë punimet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, atje ku 5 vite më parë, Lulzim Basha, tentoi të ndalte Rithemelimin që në atë kohë ishte lëvizja e inicuar nga Sali Berisha për të marrë kontrollin e partisë.
Ndryshimet statutore pritet të prezantohen nga Gazment Bardhi, ndërsa ato në riorganizimin e diasporës dhe digjitalizimin e partisë do të prezantohen nga Nikola Kedhi dhe Grigels Muçollari.
Ndërkohë mësohet se fjala hapëse do t’i besohet të resë që vjen nga diaspora Erisa Bajaziti. Punimet e Kuvendit më pas do të vijojnë me fjalën e Berishës dhe procesin e votimit për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar.
Në Kuvendin Kombëtar janë thirrur 1100 delegatët, që do të përcaktojnë 200 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të zgjedhur. Përveç 200 anëtarëve të Këshillit Kombëtar që zgjidhen me votë nga Kuvendi Kombëtar, do t’u bashkohen edhe anëtarë të tjerë që janë deputetë, ish-zyrtarë të PD-së, si dhe drejtues të bashkive, përfaqësues të PD-së dhe anëtarë të kryesisë.
Lini një Përgjigje