TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Maj 2026, 08:45

Kuvendi Kombëtar i PD dhe 3 R-të e pamundura të Berishës

Shkruar nga Pamfleti
Kuvendi Kombëtar i PD dhe 3 R-të e pamundura të Berishës
Sali Berisha

Çdo ndryshim që Berisha mund të bëjë në lidershipin e PD-së do të rrotullohet rreth Grupit Parlamentar, që në pjesën dërrmuese fituan mandatet për shkak të pozicionimit në listën e mbyllur...

Demokratët mbledhin sot Kuvendin Kombëtar për të zgjedhur anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe miratuar ndryshimet e propozuara në statut, ndërsa kjo mbledhje vjen një javë pasi përmes një referendumi u rikonfirmua Sali Berisha si kryetar i PD-së, pa lejuar që procesi të kthehej në një garë me rivalë.

Zyrtarisht demokratët e konsiderojnë këtë Kuvend Kombëtar si ai i Ripërtëritjes, ndërsa në dhjetor të 2021 e konsideruan si Rithemelimi i PD-së. Në fakt 5 vjet më parë, pavarësisht pritshmërive, shumë nga ata që e mbështetën Berishën në këtë rithemelimin e PD-së, u zhgënjyen, teksa e akuzuan kreun demokrat se nuk respektoi asnjë nga ato që konsiderohen si parime të konservatorizmit.

Sot sërish në PD ka zëra që flasin për konservatorizmin, ndërsa i kërkohet lidershipit të forcës më të madhe opozitare, ta pozicionojë partinë më djathtas, ndoshta drejt grupimit të “Patriotëve” europianë, ku bën pjesë edhe Meloni e Italisë apo ish-Kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Por çfarë pritet nga Kuvendi Kombëtar i PD-së dhe sa të mundshme do e ketë Berisha të përmbushë atë që shkurtimisht janë 3 R-të: ripërtëritje, rinovim, ringjallje e shpresës.

Berishës i është kërkuar të hapë Partinë Demokratike dhe të ndryshojë lidershipin e saj. Por kreu demokrat në deklarata të ndryshme publike ka zgjedhur që këtë proces ta delegojë në degët e PD-së, duke u kërkuar hapjen dhe afrimin e elementëve të rinj, ndoshta duke synuar kështu një proces nga ‘periferia’ e politikës, ndërsa në qendër po ruhet statusquoja.

Pavarësisht se Kuvendin Kombëtar kanë zgjedhur ta konsiderojnë si Ripërtëritja, për demokratët e Berishës do të jetë e vështirë që të realizohet kjo pa një “operacion” të thellë, që duket i pamundur në kushtet kur gjithçka do të lëvizë mes një grupi individësh që në të paktën një dekadë janë në lidershipin e kësaj partie. Ajo çka mund të bëjë Berisha është vetëm fakti i zëvendësimit të një emri me një tjetër brenda të njëjtit rreth, pa mundur të dalë prej tij. Praktika ka treguar se Kuvendet Kombëtare apo Kongreset, kthehen në “lobime” për të pasur nën kontroll Këshillin Kombëtar, nga politikanë që vazhdimisht luftojnë për vendet e dyta apo të treta, ndërsa në krye të piramidës qëndron Berisha. Asnjë prej këtyre lojtarëve nuk rrezikon të hyjë në një garë për të sfiduar kreun, thjesht përpiqet të kapë sa më shumë terren, për të garantuar vijimin e ekzistencës së tij politike, si numri 2 apo 3.

Dhe në këto kushte, duket se gjithë vëmendja për Kuvendin Kombëtar do të përqëndrohet pikërisht te ajo se kush nga ata që sot janë në funksionet drejtuese të PD-së do të kenë mundësi të ‘kapin’ shumicën e Këshillit Kombëtar, ashtu sikundër ndodhi 4 vjet më parë, pas Rithemelimit, që mbeti thjesht në letër.

Berisha sot ka vetëm dy opsione në dispozicion: për t’i bërë një makijazh lidershipit të PD-së, duke bërë thjesht një rotacion emrash, por duke ngelur te i njëjti grupim figurash apo besnikësh, ose për të nisur një operacion të thellë, që do t’i duhej të ndante postet partiake nga mandatet e deputetëve, duke i dhënë kështu lidershipit të PD-së një fytyrë krejt të re.

Ky opsion duket pothuajse i pamundur në kushtet ku sot ndodhet PD, çka do të thotë se opsioni i mbetur është ai i makijazhit të lidershipit të partisë. Thënë më shkurt, mund të ketë rotacion emrash për funksionet drejtuese që nisin nga nënkryetarët, Sekretari i Përgjithshëm apo Sekretariati në tërësi, që nuk është se mund të ndikojnë në ndryshimin e frymës në këtë parti. Dhe mosndryshimi i frymës do të thotë se asnjë nga 3 R-të (ripërtëritje, rinovim, ringjallje e shpresës) të mos realizohet. Pavarësisht skemës që në 2004 aplikoi me KOP-in, që rezultoi e suksesshme në zgjedhjet e 2005-ës, sot Berisha do ta ketë shumë të vështirë të ripërsërisë një gjë të tillë, aq më tepër kur gjithçka lëviz brenda grupit parlamentar, ku do t’i duhet të ruajë balanca, qoftë edhe me deputetë të veçantë, që në rast qejfmbetjeje mund të shndërrohen në “mandate të arta” për mazhorancën e Edi Ramës, në tentativat e saj për ndryshime kushtetuese. Edi Rama ka 83 mandate dhe bashkë me 3 deputetët e PSD-së së Tom Doshit shkon në 86, çka do të thotë se për të realizuar ndryshimet kushtetuese do t’i mjaftonin 8 mandate, për të kapur shumicën prej 94 ligjvënësish, që janë të mjaftueshëm për çdo ndryshim të Kushtetutës.

Në këto kushte, duket se çdo ndryshim që Berisha mund të bëjë në lidershipin e PD-së do të rrotullohet rreth Grupit Parlamentar, që në pjesën dërrmuese fituan mandatet për shkak të pozicionimit në listën e mbyllur, dhe që konsiderohen humbës jo thjesht në opinionin e gjerë publik, por edhe mes rradhëve të militantëve apo anëtarëve të PD-së. Kjo do të thotë se Berisha e ka pothuajse të pamundur të rinovojë lidershipin në kushtet aktuale dhe njëherazi pothuajse të pamundur që forca që drejton të ringjallë shpresë me të njëjtët emra, që thjesht mund të ndryshojnë karriget dhe zyrat në PD.

Shanset e Berishës për të ndryshuar fytyrën e PD-së ishin pas zgjedhjeve të 2023-it deri në prag të zgjedhjeve të 2025-ës, teksa zgjodhi të mbajë të njëjtin ekip me të cilin zhvilloi betejën ndaj Lulzim Bashës për vulën dhe logon e PD-së. Dhe po kështu me dorë të hekurt përcaktoi përbërjen e grupit parlamentar, duke mos pranuar që në listën e sigurtë të përfshihen emra të rinj, që sot mund të ishin një mundësi e artë për të rinovuar lidershipin, ripërtërirë përmes një procesi korrekt gjithë piramidën e organizimit dhe mund të ringjallnin shpresën.

Sot në funksionet drejtuese të PD-së janë Flamur Noka, Oerd Bylykbashi, Luçiano Boçi, Edi Paloka, Gazmend Bardhi apo Agron Gjekmarkaj, që të gjithë deputetë, që edhe në rast se Berisha vendos t’i bëjë një makijazh PD-së, do të rivalizohen nga Luan Baçi, Gjin Gjoni, Belind Këlliçi, Albana Vokshi, apo të tjerë emra që janë me mandat ligjvënësi, jo si më të votuarit por si pjesë e kalkulimeve që kreu i PD-së ka bërë kur hartoi listat.

Kjo pasi Berisha në 2025-ën zgjodhi rrethin e mbyllur, madje duke e ngushtuar atë në maksimumin e mundshëm, aq sa sot gjithçka rrotullohet mes 10-11 emrave që një pjesë janë në funksione dhe pjesa tjetër shihen si mundësi “ripërtëritjeje, rinovimi dhe ringjallje të shpresës”. /Pamfleti/

 

berisha pd kuvendi kombetar riperteritja

1 Komente

  1. B
    Bureto

    Rrotulloje nga e si të duash, por situata në PD nuk do ndryshojë për sa kohë edhe fizikisht në krye të saj është ai i 35 viteve më parë, pra Berisha. Se ç'ka bërë ai në këto 35 vite, e tregon jo vetëm situata ku ndodhet ai vetë (i pandehur për korrupsion, "non grata" nga jashtë e nga brenda, plr më tepër në zgrip biologjik), por dhe sekti i tij, që i quajtur për inerci Parti Demo(n)kratike. Çfarëdo make-up të përdorë ai, çfarëdo turke organizative apo strukturore të gjenerojë edhe nga farsa e sotme e Kuvendit të saj, ajo parti është e sunduar moralisht dhe psikologjikisht nga 'berishizmi', sëmundje e rëndë që s'ka ilaç që e shëron, që ashtu si 'enverizmi' do t'i shtrijë efektet e veta edhe pas vdekjes së tyre, respektivisht Enverit dhe Saliut, ky i dyti dishepullit të tij, i cili pas shembjes së ngrehinën së diktaturës hoxhiste, u dërgua nga Ramiz Alia të mbante në zap gjysmën tjetër të PPSH alias 'demokratike', krahas asaj gjysmës tjetër alias 'socialiste', për ta trashëguar dhe administruar nga po ata vetë shoqërinë shqiptare politikisht dhe ekonomikisht tashmë në kushtet e reja. Gjithsesi ligjet e dialektikës veprojnë, kohët kanë ndryshuar, Shqipëria po ashtu, ndaj pavarësisht tranzicionit postkomunist të imponuar nga ajo trashëgimi, evolucioni demokratik i vendit, edhe pse me plot të meta dhe vështirësi, nuk mund të ndalet. Nëse deri në 2030, bëhet realitet edhe antarësimi i tij në BE, si pasojë e atij efekti, për shqiptarët gjërat do ndryshojnë akoma edhe më për mirë.

    Lini një Përgjigje