Salianji është anëtar i Këshillit Kombëtar dhe ai është shfaqur si kritiku më i fortë i lidershipit të PD-së në javët e fundit, madje duke ndërmarrë edhe nismën e ‘Foltoreve’ apo takimeve me bazën e demokratëve. Deri më tani Salianji ka mbajtur 3 takime: Durrës, Gjirokastër dhe Elbasan, ndërsa kreu demokrat ka zhvilluar takime në disa nga degët e PD-së në Tiranë, Elbasan dhe Mirditë...
Partia Demokratike ka mbledhur Këshillin Kombëtar, e para mbledhje që nga humbja në zgjedhjet e 11 majit.
Këshilli Kombëtar mblidhet në një kohë kur në PD po zhvillohen debate sa i takon mënyrës se si kjo parti ka reaguar ndaj humbjes, por edhe në prag të zhvillimit të protestës së parë kombëtare që nga 11 maji.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar pritet të shoqërohet me debate, ndërsa në 24 orët e fundit janë ashpërsuar akuzat mes Sali Berishës, Flamur Nokës në njërën anë dhe Ervin Salianjit në anën tjetër.
Berisha pritet të përsërisë akuzat në drejtim të Salianjit, duke vijuar me dorë të hekurt drejtimin e PD-së, ndërsa anëtari i Kryesisë së PD-së nuk do të jetë pjesë e takimit.
Mungesën e tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Salianji e ka justifikuar me faktin se ai vijon turin e takimeve me demokratët në bazën e partisë.
Salianji është anëtar i Këshillit Kombëtar dhe ai është shfaqur si kritiku më i fortë i lidershipit të PD-së në javët e fundit, madje duke ndërmarrë edhe nismën e ‘Foltoreve’ apo takimeve me bazën e demokratëve. Deri më tani Salianji ka mbajtur 3 takime: Durrës, Gjirokastër dhe Elbasan, ndërsa kreu demokrat ka zhvilluar takime në disa nga degët e PD-së në Tiranë, Elbasan dhe Mirditë.
Berisha ka akuzuar Salianjin për një agjendë personale, që nuk i shërben PD-së por Qeverisë, ndërkohë që anëtari i Kryesisë ka artikuluar akuza të forta kryesisht në drejtim të Flamur Nokës, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar pritet të paraqitet edhe një amendament, që mban firmat e 17 anëtarëve të këtij forumi, përmes të cilit synohet që individë që kanë marrë tendera nga Qeveria apo financime nga Soros të mos jenë në kupolën drejtuese të PD-së.
Gjithashtu mbledhja e Këshillit Kombëtar mund të rihapë një seri çështjesh në partinë më të madhe opozitare, referuar faktit se të paktën 20 anëtarë të forumit më të lartë drejtues të PD-së, nëse marrin fjalën dhe artikulojnë kritikat e tyre publike, mund të shkaktojnë ‘tronditje’ në lidershipin e kësaj partie. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje