Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë në një përplasje të ashpër me Partinë Demokratike, lidhur me administrimin dhe aksesin në dosjen hetimore të SPAK për deputeten Belinda Balluku.
Në qendër të debatit është mënyra sesi janë trajtuar dokumentet shoqëruese të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe refuzimi për t’i shpërndarë ato anëtarëve të Këshillit të Mandateve.
Zyra e Peleshit ka konfirmuar se dokumentacioni me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e protokollit dhe se nuk mund të shpërndahet pa ndjekur procedurat e përcaktuara. “Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut”, thuhet në reagimin zyrtar të Kuvendit.
Por ky qëndrim është kundërshtuar ashpër nga opozita. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar publikisht duke akuzuar drejtuesit e Kuvendit për bllokim të qëllimshëm të informacionit. Ai e cilësoi të pajustifikuar fshehjen e provave dhe i kërkoi Peleshit t’i vërë menjëherë në dispozicion anëtarëve të Këshillit dokumentet e plota që përfshijnë edhe urdhrin e prokurorit të datës 16 dhjetor 2025.
“Niko e ke gabim! Nuk e mbyll më dot në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës. Është sheshit, në çdo punë publike!”, shkroi Bardhi në rrjetet sociale. Ai theksoi se ligji e detyron prokurorin të dorëzojë në Kuvend dokumentet shoqëruese dhe Kryetarin e Kuvendit që t’i përcjellë ato menjëherë për shqyrtim tek Këshilli dhe deputetja e përfshirë.
Në mbështetje të qëndrimit të tij, Bardhi citon Nenin 118 të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se: “Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për masë sigurie i paraqiten Kryetarit të Kuvendit nga prokurori. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit... dhe vë në dijeni deputetin”.
Tensioni politik është rritur më tej pas deklaratave të Bardhit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët akuzojnë kryeministrin Edi Rama se po ndërhyn për të mbuluar implikimin e tij. “Dosja provon se Rama nuk mbron Ballukun, por veten. Turp për një kryeministër që merret me ndarjen e tenderave”, shkroi Bardhi.
Nga ana tjetër, Niko Peleshi këmbëngul se nuk ka shkelje të rregullores dhe se çdo veprim është bërë në koordinim me SPAK-un, duke pasur parasysh natyrën e klasifikuar të materialeve. Mbledhja e paralajmëruar e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të jetë vendimtare për të përcaktuar nëse dokumentet do të bëhen të aksesueshme për deputetët dhe nëse Kuvendi do të pranojë kërkesën e SPAK për Ballukun.
Lini një Përgjigje