Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka depozituar një kërkesë zyrtare në Kuvend, drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për raportimin e qeverisë mbi rezultatet e konferencës së tetë ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian.
Në shkresën e saj, Vokshi kërkon që Kryeministri Edi Rama dhe ministrat përgjegjës për procesin e negociatave të raportojnë në seancë plenare mbi konkluzionet e arritura gjatë konferencës së zhvilluar më 26 maj në Bruksel, me fokus grupkapitullin “Themeloret”.
Deputetja demokrate i referohet ligjit “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë”, sipas të cilit Këshilli i Ministrave dhe ministri përgjegjës për negociatat duhet të informojnë Kuvendin pas zhvillimit të konferencave ndërqeveritare me Bashkimin Europian.
Vokshi kërkon përfshirjen në kalendarin e punimeve parlamentare të një seance raportimi mbi konkluzionet e konferencës Shqipëri-BE, si dhe mbi kushtet që vendi duhet të përmbushë për grupkapitullin “Themeloret”, i konsideruar si një nga kapitujt më të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kërkesa e Albana Vokshit:
I nderuar z. Kryetar i Kuvendit, Më 26 maj 2026, u zhvillua konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE, me fokus grupkapitullin më të rëndësishëm të negociatave, Themeloret, gjatë të cilit u bë vlerësimi i zbatimit të kushteve të ndërmjetme si dhe u vendosën kushtet mbyllëse.
Në bazë të Ligjit nr.15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar me ligjin nr. 19/2023, neni 18/3 “Këshilli i Ministrave dhe ministri përgjegjës për negociatat informojnë në seancë plenare konkluzionet mbi negocimin e një kapitulli ose grup kapitujsh pas zhvillimit të konferencës ndërqeveritare me Bashkimin Europian.”
Lidhur me sa më lart, kërkoj përfshirjen në kalendarin e punimeve, raportimin mbi konkluzionet e konferencës së 8 ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria për grupkapitullin Themeloret.
Lini një Përgjigje