
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka nisur një letër Trupit Diplomatik në Tiranë pas seancës së sotme plenare. Dokumenti që mban firmën e Gazment Bardhit, flet për situatën e paprecedentë që ndodhi sot gjatë seancës plenare.
Në këtë letër, PD-ja akuzon mazhorancën se në seancën e sotme ku pritej miratimi i programit politik dhe kabinetit të ri qeveritar, shkeli Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe çdo normë të praktikës demokratike.
Sipas opozitës, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi dhe kreu i shumicës parlamentare, Edi Rama penguan debatin politik dhe kanë një skenar të qartë për ta kthyer Kuvendin në një zgjatim të Këshillit të Ministrave.
“Vërejmë me shqetësim të thellë dobësimin e vazhdueshëm të rolit të Kuvendit si institucioni më i lartë vendimmarrës në Shqipëri. Zhvillimet e sotme demonstruan një plan të orkestruar nga Kryeministri Edi Rama për të provokuar hapur opozitën parlamentare dhe për ta reduktuar Kuvendin në një zgjatim të thjeshtë të Këshillit të Ministrave, duke eliminuar kështu mbikëqyrjen parlamentare mbi shumicën dhe ligjet e paraqitura për shqyrtim dhe miratim.
Prandaj, e ndiejmë detyrën tonë të informojmë komunitetin diplomatik të akredituar në Tiranë për këto zhvillime të rënda, të cilat rrezikojnë seriozisht demokracinë parlamentare dhe rendin kushtetues në Shqipëri”, thuhet ndër të tjera në letrën e PD-së.
Letra e PD-së drejtuar Misioneve Diplomatike dhe Përfaqësuesve të Huaj në Republikën e Shqipërisë:
Të nderuara Shkëlqesi.
Ju drejtohemi nëpërmjet kësaj letre për të sjellë në vëmendjen tuaj situatën e paprecedentë që ndodhi sot gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, të thirrur për miratimin e programit politik dhe kabinetit të ri qeveritar, në të cilën ju ishit të ftuar edhe si pjesëmarrës.
Për herë të parë në 35 vitet e pluralizmit politik në Shqipëri, Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe çdo normë e praktikës demokratike u shkelën në një mënyrë kaq flagrante dhe përçarëse. Përmes veprimeve antikushtetuese dhe në shkelje të rregullores së brendshme të Kuvendit, të ndërmarra nga Kryetari i Kuvendit dhe kreu i shumicës parlamentare, debati politik i përfaqësuesve të qytetarëve u pengua qëllimisht, duke dëmtuar rëndë demokracinë parlamentare dhe bashkëjetesën politike brenda institucioneve legjitime demokratike.
Si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë në Kuvend, vërejmë me shqetësim gërryerjen e përditshme të autoritetit të institucionit më të lartë vendimmarrës, Kuvendit të Shqipërisë, dhe përpjekjen për ta transformuar atë në një zgjatim të Këshillit të Ministrave, duke eliminuar plotësisht mbikëqyrjen parlamentare mbi shumicën dhe ligjet e paraqitura për shqyrtim dhe miratim.
Dinamika e ngjarjeve të sotme tregon qartë një plan të mirëorganizuar nga Kryeministri Rama për të provokuar hapur opozitën parlamentare. Përmes këtyre veprimeve të paprecedentë, në shkelje të Rregullores së Punës dhe duke anuluar parimet kushtetuese, deputetëve të opozitës iu mohua qëllimisht e drejta për një debat politik substancial dhe konstruktiv mbi programin dhe kabinetin qeveritar.
Gjithashtu vërejmë me shqetësim ofendimin e rëndë që u shkaktoi Kryeministri Rama përfaqësuesve më të lartë të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, të cilët morën pjesë në këtë seancë solemne, me rëndësi të veçantë për fillimin e çdo legjislature të re. Në dritën e delegjitimimit të seancës plenare dhe në mbrojtje të kushtetutshmërisë së procesit, deputetët e opozitës në Parlament kërkuan që të respektohet solemniteti i kësaj seance plenare. Në përputhje me nenin 97 të Kushtetutës, dhe në përputhje me nenin 110, paragrafi 2 të Rregullores së Kuvendit, deputetët e opozitës i kërkuan vazhdimisht Kryetarit të Kuvendit që të lejonte Kryeministrin të vazhdonte fjalimin e tij, pasi ai e ndërpreu në mënyrë të paprecedentë për të paraqitur një videomesazh të inskenuar nga e ashtuquajtura "Ministria e Inteligjencës Artificiale Diella". Në të gjithë historinë e pluralizmit parlamentar shqiptar, fjalimi i Kryeministrit gjatë seancës plenare për miratimin e programit politik dhe përbërjen e qeverisë nuk është ndërprerë kurrë për asnjë arsye.
Për më tepër, Kryetari i Kuvendit, në shkelje të nenit 48, paragrafi 1 të Rregullores, nuk iu drejtua z. Edi Rama në cilësinë e tij si deputet për ta vënë në rregull kur u largua nga thelbi i çështjes, pra, prezantimi, përmes inskenimit të një videomesazhi nga një personazh virtual, në një kohë kur ai duhet të kishte vazhduar pa ndërprerje prezantimin e programit politik.
Në kontekstin e mosreagimit të paprecedentë nga Kryetari i Kuvendit dhe kryerjes së këtyre shkeljeve të rënda të Kushtetutës dhe Rregullores së Punës, Kryetari i Kuvendit krijoi një precedent të rrezikshëm për këtë legjislaturë të re duke krijuar standarde të dyfishta në dhënien e të drejtave procedurale. Z. Peleshi ia dha dy herë radhazi të drejtën procedurale Kryetarit të grupit të shumicës parlamentare, ndërsa ia mohoi këtë të drejtë, të parashikuar sipas Nenit 49 të Rregullores së Punës, Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Kështu, në një mënyrë jokushtetuese, Kryetari i Kuvendit miratoi një urdhër politik që vinte nga Kryetari i grupit të shumicës duke mbyllur seancën plenare me miratimin e programit politik dhe kabinetit të ri qeveritar pa debat politik, në shkelje të Nenit 97 të Kushtetutës dhe në shkelje të rëndë të Nenit 110 të Rregullores së Punës.
Mohimi i së drejtës për debat parlamentar, shkeljet e përsëritura të ligjit themelor të vendit dhe shkeljet e rregullave të brendshme të Kuvendit tregojnë qartë një minim të qëllimshëm të rendit kushtetues dhe uzurpim të autoritetit legjitim vendimmarrës të institucioneve demokratike në vend. Në këtë situatë të paprecedentë, vërejmë me shqetësim minimin e jetës parlamentare, mohimin e të drejtës kushtetuese të deputetëve për debat politik dhe, mbi të gjitha, shpërfilljen e vullnetit sovran të qytetarëve shqiptarë, duke tentuar anulimin total të organit më të lartë përfaqësues të vullnetit të tyre politik.
Vërejmë me shqetësim të thellë dobësimin e vazhdueshëm të rolit të Kuvendit si institucioni më i lartë vendimmarrës në Shqipëri. Zhvillimet e sotme demonstruan një plan të orkestruar nga Kryeministri Edi Rama për të provokuar hapur opozitën parlamentare dhe për ta reduktuar Kuvendin në një zgjatim të thjeshtë të Këshillit të Ministrave, duke eliminuar kështu mbikëqyrjen parlamentare mbi shumicën dhe ligjet e paraqitura për shqyrtim dhe miratim.
Prandaj, e ndiejmë detyrën tonë të informojmë komunitetin diplomatik të akredituar në Tiranë për këto zhvillime të rënda, të cilat rrezikojnë seriozisht demokracinë parlamentare dhe rendin kushtetues në Shqipëri.
Ju lutem pranoni, Shkëlqesitë Tuaja, shprehjen e konsideratave të mia më të larta.
Lini një Përgjigje