Presidenti serb shkon në New York për të lobuar kundër shtetësisë së Kosovës, ndërsa diplomacia shqiptare hesht përballë një fushate që rrezikon të përmbysë ekuilibrat në Ballkan...
Aleksandar Vuçiç po përgatit një nga ofensivat më agresive diplomatike të dekadës së fundit në arenën ndërkombëtare, dhe shfaqja e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York nuk është thjesht një udhëtim ceremonial.
Në sfondin e një Ballkani të tensionuar, me marrëdhënie gjithnjë e më të ftohta mes Perëndimit dhe Serbisë, por me një Serbi që vijon të luajë me dy porta; Rusinë dhe BE-në, kjo vizitë vjen në momentin e duhur për Beogradin dhe të rrezikshëm për Kosovën dhe politikën shqiptare në rajon.
Marko Đurić, një nga figurat më agresive në kampin diplomatik të Vuçiçit, paralajmëron publikisht “ndryshim të qëndrimit të një pjese të botës ndaj Kosovës”.
Në gjuhë të qartë, kjo është një shpallje lufte diplomatike: Serbia do të përpiqet të bindë vende të pasigurta, të pavendosura ose të manipuluara ekonomikisht, që të ndryshojnë pozicionin e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kjo nuk është e re, por tashmë është më e koordinuar dhe e veshur me kostumin e viktimës ndërkombëtare.
Serbia e sheh veten si shteti i vetëm në rajon që “sulmohet nga gënjeshtrat e Perëndimit”, ndërkohë që me maskën e neutralitetit ushtarak ruan lidhje të afërta me Moskën, blen armatime nga Rusia e Kina, dhe përdor energjinë dhe korridorët ekonomikë si karrem ndaj vendeve afrikane dhe aziatike për t’i tërhequr në orbitën e saj diplomatike.
Në këtë kontekst, Prishtina është armiku që Serbia po përpiqet ta shesë si kërcënim ndërkombëtar. Shfaqja e Vuçiçit në New York pritet të synojë jo vetëm “çmontimin” e narrativës së pavarësisë së Kosovës, por edhe tentativën për ta vendosur këtë çështje si një precedent të rrezikshëm për sovranitetin e shteteve, një analogji që Beogradi e përdor për të fituar mbështetje nga vendet që kanë konflikte të brendshme territoriale.
Çfarë do të bëjë Shqipëria?
Këtu qëndron pyetja që diplomacia shqiptare nuk ka guxuar ende ta artikulojë me zë të lartë. Në vend që të udhëheqë një front aktiv dhe të sinkronizuar me Prishtinën, politika e jashtme shqiptare po mbetet pas në lojën globale. Qeveria e Edi Ramës, ndonëse afër me qendrat vendimmarrëse në Perëndim, nuk po përdor fuqinë që ka në diplomacinë multilaterale për të kundërshtuar përpjekjet e Beogradit.
Heshtja dhe mosangazhimi nuk janë neutralitet, por kontribut pasiv në konsolidimin e fushatës serbe.
Kjo situatë kërkon një ofensivë të përbashkët diplomatike Tiranë-Prishtinë. Kërkon angazhim në Kongresin Amerikan, në kancelaritë e Evropës Perëndimore, dhe mbi të gjitha në terren, në vendet e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, ku Serbia po vepron për të ndalur ose tërhequr njohjet ndaj Kosovës. Në këtë betejë nuk ka vend për krenari boshe dhe protokolle formale. Ka vend për diplomaci agresive, për fakte, për dokumente, për dëshmi historike dhe për një gjuhë të qartë politike që mbron të vërtetën e Kosovës dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet.
Vuçiç nuk shkon në OKB për të bërë paqe. Ai shkon për të thyer aleanca, për të relativizuar krimet e së shkuarës dhe për ta paraqitur Serbinë si “shtetin e moderuar” që ndëshkohet nga një Perëndim hipokrit. Nëse kjo narrativë do të fitojë terren, atëherë Kosova, dhe me të gjithë projekti shqiptar në rajon, do të pësojë goditje të rënda strategjike./Pamfleti
Lini një Përgjigje