
Hapet zyrtarisht fushata, opozita miting në sheshin “Nënë Tereza”...
Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale. Ashtu siç u njoftua, rreth orës 19.00 nisi aktiviteti te sheshi “Nën Tereza”.
Sali Berisha vendosi të ndjekë modelin e fushatës së Donald Trump, kjo edhe për faktin se në krye të fushatës është Chris LaCivita, strategu që i dha fitoren presidentit amerikan.
Përbri universitetit u ngrit një pod madhështor, ndërsa në shesh u vendosën me mijëra karrige ku u ulën mbështetësit e kësaj force politike. Ashtu si republikanët në SHBA, në pod u vendosën të rinj dhe të reja që mbanin veshur bluze dhe kapele me logon e PD. Berisha nisi marshimin nga selia e PD dhe krah tij ka qëndruar gjatë gjithë kohës Chris LaCivita.

Ky i fundit mbajti një fjalim të shkurtër, ku sulmoi socialistët dhe u premtoi fitore demokratëve. “Votoni për Berishën, jepini vendit shpresë dhe mundësi! Socialistët do dështojnë, siç dështuan edhe me Trump! Ta bëjmë Shqipërinë madhështore. Kush është gati ta bëjë Shqipërinë madhështore sërish? Në vitin 2024, në Shtetet e Bashkuara, socialistët u përpoqën të fusnin në burg Donald Trump. Donald Trump nuk u dorëzua. Ata dështuan. Në vitin 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të fusin në burg gjithë opozitën e tyre. Edhe këtu do të dështojnë. Pse? Sepse nuk mund të mbrojnë dot bilancin e 12 viteve të fundit: 12 vite krim, 12 vite drogë. Më shumë se 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi. Dhe 12 vite dështim ekonomik. Pse të votoni për partinë që i krijoi të gjitha këto probleme? Votoni për Dr. Berishën. Jepini vendit tuaj mundësinë. Dhe jepini njerëzve shpresë”, tha LaCivita.

Pas tij e mori fjalën Sali Berisha. Normalisht nuk munguan sulmet dhe akuzat ndaj mazhorancës dhe Edi Ramës. Edhe pse nën hetim nga SPAK, Berisha tha se nuk kërkon pushtet për para dhe luks.
“I tmerruar nga e vërteta, i tmerruar nga transparenca, ka dy muaj që është ngujuar në zyrë dhe flet me vete, ka dy muaj që ka frikë, por miq u përpoq me çdo mënyrë, me gjithçka, me arrestime, me korrupsion, me përçarje, me çdo gjë, që Shqipëria të mos kishte opozitë, por ja ku jemi sot, më të fuqishëm se kurrë. Edi Rama vazhdon avazin e vjetër, vazhdon mashtrimet, por për 12 viteve shqiptarëve nuk iu tregon dot një vepër sepse vetëm ka vjedhur. Lufta e tij në Partinë Demokratike është lufta e Don Kishotit me mullinjtë e erës. Çfarëdo që të thotë, kjo parti e pluralizmit politik. Kjo është partia që ka përmbysur diktaturën komuniste. Kjo parti ka anëtarësuar Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO, është parti që nxori”, tha Berisha.
Nisur nga deklaratat e Ramës që i kujton moshën, Berisha tha se ai më qan hallin mua, njëlloj si ata që i qajnë hallin kalorësit.
“Për nga mosha unë të garantoj ty se vitet e mia, aq sa i kam, i kam që të gjitha bio. Për nga mosha ti më ngjan mua jo me Gramoz Ruçin, por me gjyshin e Gramoz Ruçit”, tha Berisha.
Në vijim, kreu demokrat tha se Edi Rama ka bërë gjithçka që të fshijë nga historia opozitën.
“Edi Rama, sonte e kë të vështirë natën. Miqtë e mi, kjo është një natë ndër më të veçantat sepse sonte ne vijmë këtu për të nisur betejën tonë, betejën e fitores, betejën e Shqipërisë Madhështore. Betejë në të cilën Shqipëria ngrihet përsëri. Këto vite, e keqja e vuri para vendin tonë. Këto vite, 12 vite ishin për Shqipërinë vite të shkretimit të saj nga bijtë dhe bijat, ishin vitet e varfërimit të saj, ishin vite në të cilat regjimi i narkosve të Tiranës dhe mafia ndërkombëtare bëri gjithçka që të fshijë nga kujtesa e këtij kombi veprën tuaj të pavdekshme, Shqipërinë pluraliste. Bëri gjithçka të fshijë nga historia e këtij kombi arritjet madhore në fushën e lirisë. Bëri gjithçka të fshijë nga arkivat e këtij kombi, kontributin e secilit prej jush për dinjitetin kombëtar dhe lirinë kombëtare. Bëri gjithçka që ju të mos kishit as emër, as flamur. Po ja ku jemi sot, me flamurin tonë më krenar se kurrë me ju”, tha kreu demokrat.
Në fund pati dhe një kërcënim: "Më 12 maj të festojmë për Shqipërinë Madhështore, për Shqipërinë që meritojmë. Sirenat e votës së lirë të shqiptarëve po bien. Edi Rama, mos prek votën se mbi tokë vend s’do kesh. Largohu me votë se i ke bërë të këqija të mëdha këtij vendi. Bashkë Shqipërinë e dhimbjes, ta kthejmë në Shqipëri të mirëqenies".
Lini një Përgjigje