Në takimin me Ramën, zyrtari i DASH është kujdesur t’ia thotë troç kryeministrit se nuk ka punë me drejtësinë...
Amerikanët ja kanë bërë të qartë Edi Ramës se nuk do të lejojnë të cenohet drejtësia e re.
Kryeministri ka marrë superxhiro kohët e fundit, duke marrë meritat e reformës dhe duke sulmuar organet e reja. Të dielën ai sulmoi SPAK nga resorti piramidë i Tan Dulakut, i cili kërkon të kapë edhe portin e Sarandës.
Po ashtu, në prapaskenë po negociohet që të ngrihet një komision që do të vërë nën kontroll SPAK. Ajo që shihet në publik si negociatë Rama-Berisha, në fakt është një pazar në kurriz të drejtësisë. Të gjithë janë trembur dhe duket se po lëvizin bashkarisht gurët për të rrëzuar projektin amerikan.
Por sot erdhi në Tiranë Ndihmës Sekretari Todd Robinson, i cili dha mesazhe të qarta, por dhe të fshehura. Ai takimin e parë e zhvilloi me Altin Dumanin dhe më pas me prokurorët e tjerë të SPAK. Pra mesazhi ishte: SPAK për ta është i paprekshëm dhe se pas këtij organi është dora e tyre.
Më pas u takua me përfaqësues të organeve të tjera, ministrat, policinë dhe në fund takoi kryeministrin Rama. Zyrtari i DASH tregoi se vizita e tij lidhej pikërisht me reformën në drejtësi. Dhe në takimin me Ramën ai është kujdesur t’ia thotë troç kryeministrit se nuk ka punë me drejtësinë. Ai ka thënë se SHBA nuk do lejojë prekjen e reformës dhe cenimin e pavarësisë së drejtësisë.
“Ndihmës Sekretari Todd Robinson u takua me Kryeministrin Edi Rama për të nënvizuar bashkëpunimin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutoi mbi rëndësinë kritike të forcimit të shtetit të së drejtës, rëndësinë e një gjyqësori të pavarur dhe çuarjen përpara të reformës në drejtësi”, njoftoi ambasada.
Të shohim se çfarë do të bëjë tani kryeministri, por duket qartë se reforma në drejtësi është prioritet për amerikanët dhe ata nuk kanë për të lejuar asnjë pazar që cenon këtë proces. /Pamfleti
Lini një Përgjigje