TAGS-AT E JAVËS

Politike31 Janar 2025, 20:29

Patronazhimi i votës së Diasporës; jo vetëm Rama, edhe Berisha ngre shtabin për votuesit jashtë Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti

Patronazhimi i votës së Diasporës; jo vetëm Rama, edhe

Vota e diasporës është kthyer në një çështje kardinale për socialistët e Edi Ramës dhe demokratët e Sali Berishës, që duket se të gjitha bateritë për zgjedhjet e 11 majit i kanë përqëndruar pikërisht te shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

E ndërsa deri mesditën e sotme, referuar të dhënave zyrtare kanë aplikuar 112 mijë qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, ndërsa janë refuzuar rreth 40 mijë kërkesa, ndërsa regjistrimet vijojnë deri në 4 mars, votat e diasporës po shihen si një hambar qoftë nga Rama që synon mandatin e 4 rradhazi, ashtu edhe nga Berisha që synon rikthimin e 3-të, sikundër ka deklaruar publikisht.

Si Rama ashtu edhe Berisha duket se po luajnë me të njëjtën skemë, në një terren që nuk është i njohur me detaje, për faktin se në 11 maj do të jetë hera e parë që qytetarët që disponojnë dokumentet shqiptare të identifikimit, që kanë një adresë banimi dhe sigurisht të drejtën e votës, do e ushtrojnë atë përmes postës.

Kryeministri ka ngritur prej javësh grupet e punës me ministra e kryebashkiakë, drejtorë dhe deputetë, sikundër përmes formularëve që i janë shpërndarë punonjësve të administratës po u kërkohen të dhëna për të afërmit e tyre që kanë jashtë vendit. Gjithçka në funksion të një lloj patronazhimi vote.

Në anën tjetër demokratët e Berishës pasi caktuan një koordinatore për diasporën, Jozefina Topallin, e cila për javë të tëra u la e vetme, së fundmi angazhuan grupe deputetësh në takime kryesisht në Itali, Britaninë e Madhe dhe SHBA, ndërsa vetë kreu demokrat do të zhvillojë takimin e parë me shqiptarët jashtë vendit në Gjermani.

Paralelisht me këtë proces, PD ka ngritur një shtab, misioni i të cilit është të ndihmojë bashkëkombasit në diasporë për t’u regjistruar në portalin e KQZ, me qëllim që të marrin të drejtën për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.

Nëpërmjet një faqeje online të PD, Diaspora Voton, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe kanë hasur vështirësi për t’u regjistruar, mund të kërkojnë ndihmë.

‘Shtabi angazhohet t’ju kontaktojë duke ofruar ndihmën e nevojshme që regjistrimi juaj në KQZ të përmbyllet me sukses’, thuhet në njoftimin zyrtar të demokratëve.

Madje në dispozicion të tyre është vendosur një numër telefoni, një adresë e-mail dhe një seksion i veçantë në faqen zyrtare në internet të PD-së.

Një proces të ngjashëm e ka kryer më parë edhe Partia Socialiste përmes grupeve që ka atashuar kryesisht në Greqi e Itali, që duket se janë në lupën e socialistëve të Ramës dhe shihen si vendet kryesore nga ku ata mund të maksimalizojnë votën. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje