
Gjykata e Tiranës i rrëzoi padinë për Bashën, Rama kërkon të hetohen gjyqtarët...
Fitorja e mandatit të katërt nga Edi Rama duket se po jep efektet e veta. Me 3 mandate, arroganca kishte arritur kulmin, teksa me fitoren e radhës duket se Bablokut i duket vetja i plotfuqishëm.
Para zgjedhjeve e shmangu çështjen e drejtësisë, nga frika se do të humbiste vota, por tani Rama duket se ka nisur një luftë të hapur me gjyqësorin.
Një ditë më parë sulmoi gjyqtarët që kërkojnë rritje pagash dhe po ashtu siluroi Kushtetuesen, e cila me një vendim të mëhershëm pranoi një kërkesë të tillë. Sot Kushtetuesja iu kthye ashpër kryeministrit.
Por duket se kreu i qeverisë ka hapur një tjetër front lufte. Ai ka sulmuar edhe Gjykatën e Tiranës. Kjo e fundit dha sot një vendim kundër tij, lidhur me një padi që Rama kishte bërë ndaj Bashës për shpifje.
Gjykata e rrëzoi kreun e ekzekutivit dhe kjo ka bërë që Rama të reagojë me mesazhe goditëse, duke dëshmuar qartë se në këtë mandat do të ketë një betejë të fortë mes gjyqësorit dhe ekzekutivit.
Madje Rama ka shkuar deri aty, sa ka kërkuar nga KLGJ apo ILD që të marrin masa dhe të fusin në filtra gjyqtarët.
Reagimi i plotë i Ramës
Gjykata e Shkallës Parë Tiranë sot ka hedhur poshtë padinë time për shpifje ndaj Lulit në vitin 2018, për të cilën gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë “si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata”, pra shpifja e Lulit “nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik”!!!
Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!!
Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, po një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur - kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim! Ndërsa po t’i shtosh pastaj kësaj ngjarjeje satirike gjyqësore, dyshimin për se si mund t’i vejë halli të drejtës së njerëzve për çështje më të rëndësishme në duart e një gjykatëseje të tillë, atëherë të vjen të pyesësh: A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?!
Dhe të kuptohemi mirë, halli nuk është farë çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë se marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh:-)
Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12 vjeçari!!!
Lini një Përgjigje