
Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë, në cilësinë e Kolegjit Zgjedhor, ka vendosur të pushojë ankimimin e paraqitur nga Ilir Alimehmeti, kandidat i Partisë Demokratike/Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM), lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun Tiranë dhe vendimet përkatëse të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në vendimin e gjykatës theksohet se kandidatët nuk kanë të drejtë të ankimojnë individualisht vendimet e KQZ-së apo të kërkojnë rinumërim votash, për sa kohë që nuk janë subjekt zgjedhor. Sipas ligjit, e vetmja që ka të drejtë të paraqesë ankimime të tilla është partia politike ose koalicioni që ka paraqitur kandidatin.
Për rrjedhojë, gjykata vendosi pushimin e çështjes, duke e konsideruar padinë të paraqitur nga një subjekt i paligjshëm për të ushtruar këtë të drejtë.
Kolegji Zgjedhor do të shqyrtonte sot më 12 Qershor ankimimin e Ilir Alimehmetit, kandidatit të Partisë Demokratike, i cili kërkon rinumërim ose rivlerësim të votave në të gjitha KZAZ-të e Qarkut Tiranë.
Trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor që do të shqyrtonte ankimin, përbëhet nga gjyqtarët: Entela Shedula (Relatore); Artan Çupi; Rexhep Bekteshi; Ornela Naqellari; Enkel Peza.
Lini një Përgjigje