
Pas rinumërimit të votave të qarkut Tiranë dhe Fier, sot në orën 09:00, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” pritet të nisë procesi edhe për kutitë e Durrësit.
Në total, janë 290 kuti që do të rihapen, ku do të përfshihet edhe vota e diasporës për këtë qark.
Në këtë qark, beteja është mes Aulon Kalasë dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja. Ky i fundit fitoi me një diferencë prej 1047 votash. Kalaja nuk u mbështet nga PD në betejën e tij për rinumërim, por u ndihmua nga Partia Lëvizja e Legalitetit, i cili ishte në koalicionin PD-ASHM.
Kalaja protestoi edhe dje para Pallatit të Sportit “Farie Hoti”, ku po rinumëroheshin kutitë e fundit të Fierit, duke kërkuar korrektësi nga KAS dhe rinumërim të plotë të kutive të votimeve për Durrësin. Ai kërkoi gjithashtu edhe këqyrjen e pamjeve filmike me pretendimin se i janë transferuar votat brenda partisë.
Pritet të shihet nëse me rinumërimin e këtyre kutive, Kalaja do të mund të rikuperojë votat e nevojshme për të përmbysur rezultatin e Ndojës.
Kujtojmë që një ditë më parë kutitë e fundit dogjën mandatin e Zegjine Çaushit dhe ia dhanë Maldrita Bardhos me një diferencë prej 10 votash. Por, në një lëvizje surprizë në mbrëmje, Bardho u tërhoq duke i “dhuruar” mandatin koleges së saj Çaushi.
Në 11 maj, Çaushi ishte një nga emrat që mori mandatin nga rradhët e PS-së me një diferencë të vogël votash me Bardhon. Me hapjen e kutive në Fier, pas vetos së dy anëtarëve të KAS, i vetmi ndryshim që prodhoi rinumërimi, edhe pse pritej që 'Nisma Shqipëria Bëhet' të merrte një mandat duke ia zbritur PS-së, ishte zhvendosja e emrave në listën e PS-së, nga Çaushi te Bardho.
E ndërsa pritej që kjo e fundit të ishte pjesë e Kuvendit të ri, në orët e mbrëmjes njoftoi se nuk do e pranonte mandatin. Ndoshta kjo ka lidhje me urdhërin e dhënë nga Edi Rama, kur kandidatët e parë të PS-së pas 11 majit, ngritën pretendime për manipulime votash preferenciale, por pak orë më pas u tërhoqën. Por ndoshta mund të jetë edhe një pazar politik në qarkun e dytë më të madh në vend, atje ku për herë të parë socialistët e drejtuar nga Belinda Balluku si drejtuese Politike thyen edhe rekordet e Gramoz Ruçit, duke marrë plot 12 mandate nga 16 të mundshmet.
Lini një Përgjigje