TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Korrik 2025, 22:00

Provat e reja / SPAK nxjerr zbuluar Metën dhe krerët e politikës: Kanë paguar miliona për takime në SHBA

Shkruar nga Pamfleti
Provat e reja / SPAK nxjerr zbuluar Metën dhe krerët e politikës:
Takimi i paguar i Metës me William Brownfield

SPAK siguron dokumente të reja për aktivitetet lobuese të Ilir Metës...

Prokuroria e Posaçme ka zbuluar prova të reja mbi aferat e Ilir Metës. Ndonëse ky i fundit fajëson Monika Kryemadhin dhe Endrit Brahimllarin, del qartë se ka pasur dijeni mbi gjithçka, edhe pse nuk ka firmosur vetë.
“Pamfleti” ka siguruar arsyetimin e Gjykatës së Posaçme, e cila refuzoi lirimin e tij nga qelia.

SPAK ka paraqitur disa dokumente të reja në seancë, që fundosin Ilir Metën, por edhe tregojnë se si politika shqiptare ka hedhur miliona ndër vite për lobime në SHBA.

Ilir Meta, Edi Rama, Sali Berisha, Lulzim Basha, Fatmir Mediu, Belind Këlliçi, etj., sa herë kanë qenë në SHBA, kanë hedhur foto e kanë pasur takime me senatorë, kongresmenë apo funksionarë të ndryshëm. Mirëpo, mesa konstaton SPAK, edhe takimet zyrtare në SHBA bëhen me pagesë.

Provat e reja / SPAK nxjerr zbuluar Metën dhe krerët e politikës:

SPAK ka siguruar disa shkresa nga Kuvendi dhe nga Ambasada e Shqipërisë në SHBA, ku tregohet se si Ilir Meta, kur ka qenë kryetar Kuvendi, ka pasur takime të ndryshme në SHBA, por të gjitha i ka bërë me pagesë dhe ka fshehur milionat që ka dhënë. Sipas SPAK, takimet janë siguruar nga kompania e kontraktuar, ndonëse na janë shitur si mbështetje nga zyrtarët amerikanë. Por ne kemi parë takime të ngjashme nga gjithë elita politike, që do të thotë se gjithçka ka qenë e paguar. 

Pjesë nga dosja

Me shkresën nr. 18465 Prot., datë 12 qershor 2025, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përcjellë informacionin mbi vizitat e kryera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë periudhës 2016-2017.
Nga dokumentacioni i administruar rezulton se ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka informuar Kabinetin e Ministrit, në lidhje me vizitën e kryer nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, në datat 9-17 maj 2016 dhe 4-8 qershor 2016.

Në informacion përmendet se z. Ilir Meta është takuar në datat 9-17 maj 2016 me zv.ndihmës prokurorin e Përgjithshëm, z. Bruce Swartz, me temë reformën në drejtësi, ku z. Ilir Meta është prezantuar si kryetar i Parlamentit Shqiptar por edhe si kryetar i LSI-së.

Gjithashtu, takime ka zhvilluar edhe me zv.ndihmës sekretarin Hot Ye, drejtoren për Ballkanin dhe Kaukazet, znj. Victoria Taylor, administratorin e Shërbimit të Jashtëm Bujqësor, z. Philip C. Karsting, ku z. Karsting ishte shprehur se mirëpriste një vizitë të Ministrit të Bujqësisë dhe takime në nivel ekspertësh; me kryetarin e Komitetit të Sigurisë Kombëtare në Kongres, z. Mark McCau dhe kongresmenin Peter Sessions, kongresmenin Ed Royce, kongresmenin John Katko dhe drejtuesin e nënkomitetit për Bujqësinë, kongresmenin Robert Aderholt.

Provat e reja / SPAK nxjerr zbuluar Metën dhe krerët e politikës:
Takimet me Bruce Swartz dhe William Brownfield

Në informacionin e dërguar nga ambasadorja Floreta Faber, lidhur me vizitën e Kryetarit të Parlamentit Shqiptar në datat 4-8 qershor, rezulton se z. Ilir Meta ishte i ftuar nga Këshilli Amerikan Hebre dhe, midis takimeve të zhvilluara nga z. Ilir Meta, përmendet edhe takimi me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Byronë e Luftës kundër Drogave dhe Rendit Ligjor, z. William Brownfield, me temë reformën në drejtësi, si dhe takimi në Departamentin e Cyber Security në Universitetin George Washington, si dhe takime të tjera.

Në deklaratën raportuese të kompanisë GSIS për periudhën e raportimit 1 janar 2016 deri më 31 korrik 2016, kjo kompani ka raportuar se ka kryer aktivitet politik për llogari të LSI-së, duke këshilluar LSI-në në marrëdhëniet e saj me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe drejtuesit politikë, ndërsa Shqipëria bën progres me reformën kushtetuese dhe modernizimin e ekonomisë së saj, identifikuar me dokumentin nr. 1 (një) bashkëlidhur. Në dokumentin nr. 1 (një) të bashkëlidhur është përshkruar gjithë aktiviteti politik që GSIS LLC ka zhvilluar për kryetarin Meta, midis të cilave edhe pjesa më e madhe e takimeve të përshkruara në informacionet e ambasadores Floreta Faber.

Me shkresën nr. 18464 Prot., datë 28 maj 2025, i është kërkuar Kuvendit të Shqipërisë informacion mbi vizitat e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për periudhën 2016-2017, ftesat mbi të cilat janë organizuar vizitat, përbërjen e delegacionit, programin e takimeve të planifikuara dhe takimet e realizuara. Me shkresën nr. 1686/1 Prot., datë 05 qershor 2025, Kuvendi i Shqipërisë ka kthyer përgjigje të plotë mbi delegacionet që kanë shoqëruar Kryetarin e Kuvendit, por nuk kanë dërguar përgjigje të plotë mbi ftesat e pranuara, programin e takimeve të planifikuara dhe takimet e realizuara.

Fakti që, në lidhje me raportin me G.S.I.S., një pjesë e vogël e shpenzimeve janë paguar nëpërmjet llogarive bankare dhe pjesa tjetër nuk është paguar nga llogari të njohura e të regjistruara, ndërkohë që është vërtetuar se vetë Ilir Meta është përfshirë në marrëdhënie korruptive para kësaj kohe, si dhe fakti që ai është përfitues i drejtpërdrejtë i shërbimeve, arrihet në konkluzionin se ai ka fshehur natyrën e vërtetë të burimit, si dhe ka marrë pjesë në zhvendosjen e shumave monetare jashtë sistemit bankar, duke i shpenzuar këto shuma për shërbimet e përfituara.

Përderisa vetëm një pjesë e shpenzimeve në lidhje me raportin me G.S.I.S. janë transferuar në rrugë të ligjshme bankare, tregon jo vetëm që janë para të siguruara në mënyrë të paligjshme, por edhe dijeninë e qëllimin e tij për të mbuluar origjinën, transferimin si dhe mbulimin e natyrës së vërtetë të të ardhurave.

Lini një Përgjigje