
Një surprizë ka ardhur sot nga qarku i Fierit pas rinumërimit të votave nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), ku Maldrita Bardho ka përmbysur rezultatin dhe i ka zënë vendin Zegjine Çaushit në parlamentin e ri.
Rinumërimi i disa kutive solli rritje të votave për Bardhon, ndërsa Çaushit iu ulën pikët, duke e bërë të pamundur që ajo të mbajë mandatin. Me këtë rezultat të ri, Bardho pritet të jetë një nga deputetet e reja që do të ulen në Kuvend në shtator, përfaqësuese e qarkut të Fierit.
Maldrita Bardho është një profesioniste në fushën e farmacisë dhe biologji-kimisë. E lindur më 14 mars 1984 në Fier, ajo ka përfunduar studimet në Universitetin “Kristal” në Farmaci, si dhe një diplomë të nivelit të dytë në Biologji-Kimi në Universitetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë.
Në karrierën e saj profesionale, ajo ka punuar si farmaciste dhe më pas si drejtuese teknike në një farmaci në Lushnjë. Ka marrë edhe kualifikime nga organizata ndërkombëtare ASME në rolin e profesionistit të shëndetit. Paralelisht, Bardho ka ushtruar rol aktiv politik si koordinatore e Gruas në Njësinë Administrative Bubullimë, duke organizuar takime dhe aktivitete të PS-së.
Me vendimin e fundit të KAS, ajo hyn në Parlament si një figurë e re për Partinë Socialiste, ndërsa për Zegjine Çaushin, rezultati shënon një dalje të papritur nga gara.
Lini një Përgjigje