
PS-ja kërkon që në zgjedhjet e ardhshme të arrijë të paktën 84 mandate në Kuvend, në mënyrë që të mos ketë pengesa për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, për të vënë në jetë komisionin “Xhafaj”.
Fatmir Xhafaj padashur ka pranuar planet e mazhorancës për zhbërjen e reformës në drejtësi me anë të Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion.
Pavarësisht se në intervistat dhe deklaratat e tij, Xhafaj mundohet të fshehë qëllimin final të këtij komisioni, duke thënë se nuk ka si qëllim zhbërjen e reformës në drejtësi, veprimet e planifikuara prej tyre tregojnë një realitet komplet tjetër.
Pas refuzimit nga shumica e institucioneve të drejtësisë për t’u bërë pjesë e komisionit “Xhafaj” dhe kundërshtisë së fuqishme të BE-së, me anët të ambasadorit Silvio Gonzato, mazhoranca duket se do të kalojë në “planin b”.
Kjo u zbulua nga vetë Xhafaj në një intervistë televizive, i cili pasi foli për avancimin që kishte pasur ky komision, ku kishin krijuar një draft me mbi 700 faqe dhe ia kishin dërguar ekspertëve të huaj e shqiptarë për analizë dhe vlerësim, theksoi se puna do të ndalonte për momentin për shkak të zgjedhjeve që të mos futet në debatin elektoral.
"Draftin u a kemi dhënë ekspertëve ndërkombëtare. Kemi të atashuar 40 ekspertë ndërkombëtarë, 20 të huaj dhe 20 shqiptarë. Do i kërkojmë të japin koment, vlerësim për analizën. Pasi kemi dëgjuar këto tryeza, mendimin e ekspertëve ky input do merret në draft dhe do bëhet një dokument final, serioz shqiptar!
...Jemi afër zgjedhjeve, dhe do e ndërpresim, deri në fazën e dytë do shkojmë. Do lëmë kohën e nevojshme. Të mos futet në debatin elektoral. Kështu na ndodhi edhe në reformën në drejtësi. E mbaruam në 2020. Janë procese, reforma. Nuk bëhen në ditën 1 të mandatit. Janë reforma të vështira”, tha Xhafaj në një intervistë për “Report Tv”.
Por në fakt ky nuk është qëllimi i vërtetë. Mazhoranca kërkon që të futet në zgjedhje duke lënë jashtë kujtesës së qytetarëve komisionin “Xhafaj” për ta ringjallur atë më pas.
PS-ja kërkon që në zgjedhjet e ardhshme të arrijë të paktën 84 mandate në Kuvend, në mënyrë që të mos ketë pengesa për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, për të vënë në jetë komisionin “Xhafaj” dhe zhbërë reformën në drejtësi.
Me 84 mandate në xhep dhe 4 vitet të tjera në krye të vendit, Rama dhe Xhafaj nuk do ta kishin më problem, pse jo edhe nën “zhurmën” e mosbindjes civile të opozitës pas 2025-ës, të miratojnë në heshtje zhbërjen e reformës në drejtësi./Pamfleti
Lini një Përgjigje