TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Nëntor 2024, 13:51

“Shih SHIK-un mos ka njeri vërdall”/ Zbardhen bisedat në Sky Ecc, ish-deputeti i PS i jep informacion sekret trafikantit me 10 emra

Shkruar nga Pamfleti

 

“Shih SHIK-un mos ka njeri vërdall”/ Zbardhen bisedat në
Jurgis Çyrbja

Më poshtë nga bisedat e transkriptuara nga aplikacioni Sky Ecc ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja i jep informacion sekret të kërkuarit Kreshnik Budllas.

Biseda të tjera janë publikuar lidhur me çështjen ndaj ish-deputetit Jurgis Çyrbja.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se Çyrbja ka komunikuar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” me persona të shpallur në kërkim informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror.

Ish-deputeti i cili u la në burg nga Gjykata e Posaçme akuzohet për tre veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.

Më poshtë nga bisedat e transkriptuara nga aplikacioni Sky Ecc ish-deputeti i jep informacion sekret të kërkuarit Kreshnik Budllas.

Jurgis Cyrbja ka komunikuar me Kreshnik alias Sokol, alias Besnik Budlla alias Koçi, alias Farruku gjatë periudhës 30.11.2020- 10.02.2021.

Në datën 02.12.2020 Çyrbja informon bashkëbiseduesin që të kontrollonte ambientin përreth banesës së tij, pasi kishte informacion se mund të ishte në vëzhgim nga punonjësit e Shërbimit Informativ.

“Vetëm shih SHIK-un mos ka njeri vërdall”.

Në datë 29.12.2020, Kreshnik Budila i thotë”…Si thu vlla, vjen dot. Po ça të bojm pun s’kemi. Kërkim jemi… Po më thonë çunat është rrethu zona. Pyte pak, ka nai gjo se un lëviza nga zona. Jam peralt Ki ai me gur. Ke parasysh, Ki kasteli”.

“Po e di, një mim”, ia kthen Çyrbja.

Në datën 29.12.2020 Kreshnik Budlla, ka kërkuar nga i hetuari që të pyeste lidhjet e tij me punonjësit e policisë: “Ik takoje pak, shif si esht puna. Nse po sillen ne zon. Jan civil, katër pesë makin, X5 dhe dy tre makina”.

“Ça ngjyre është x 5 gri? Se Durrsi nuk është”.

“Kan mor vllain e vogël vlla. Tani, Se di pse. Pyt pak ca kan. Këtu jam. E kan len atë burazer kërkonin mu””, thotë Kreshniku.

“Vlla jam blloku gjithë llogarit e mia”, thotë më pas Kreshniku.

Sipas informacioneve më pas, rezultoi se Kreshnik Budlla ishte person i shpallur në kërkim.

Jurgis Çyrbja, u ‘fundos’ pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin e koduar ‘Sky ECC’, ku u zbulua se informacionet sekrete shtetërore që Çyrbja, arrinte t'i siguronte përmes zyrtarëve, ende të paidentifikuar, duke shfrytëzuar pozitën e tij si deputet ua jepet grupeve kriminale, mes tyre Altin Hajrit.

Një nga rastet e evidentuara është dhe informimi i Altin Hajrit për lëvizjet e policisë pas vrasjes së Jan Prengës, ndërsa ky i fundit i siguroi vota në qarkun e Durrësit, ku Çyrbja ishte edhe në listën e sigurt për deputet në zgjedhjet parlamentare 2021.

Ndërkohë, urdhër arresti nuk është ekzekutuar ende për Altin Hajrin, pronar i kompleksit ‘Golden’, i cili prej 4 vitesh është edhe në kërkim si organizator i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës më 17 janar 2020.

Kush është Kreshnik Farruku?

“Shih SHIK-un mos ka njeri vërdall”/ Zbardhen bisedat në
Kreshnik Farruku (Budlla)

Kreshnik Farruku (Budlla) është një emër i njohur në botën e krimit, i cili ka përdorur 10 emra për t'i shpëtuar drejtësisë, teksa njihet më shumë edhe si Kreshnik Farruku. Në maj të 2019-ës ai është arrestuar në Spanjë, së bashku me vëllanë e tij dhe një tjetër anëtar të fisit.

Budlla u prangos në një hotel në Madrid pas disa muajsh hetime dhe ndjekje nga policia, pasi kërkohej në Spanjë dhe Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave, ndërsa është hetuar edhe për një vrasje po në Spanjë. Sipas medieve spanjolle Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në vitin 2010, për shkak të pazareve të drogës. Por pas hetimit, prokurorët spanjollë konkluduan se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi, i cili mbeti i vrarë në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë.

Në vitin 2015 Kreshnik Farrukut iu bë një atentat në Shqipëri. Ai ishte në shoqërinë e kunatit të tij, Rinald Budlla, dhe të dy shokëve, kur është qëlluar me armë në zonën e “Don Boskos”, ndërsa u plagos një kalimtare. Pista asokohe lidhej me prishjen e pazareve të drogës në Itali, Spanjë dhe Holandë.

Ndërkohë që në vitin 2012 Gjykata e Durrësit vendosi sekuestro preventive për pasuri të cilat arrijnë shifrën totale rreth 1 milion euro në pronësi të tij. Sipas Prokurorisë këto pasuri dyshohej se ishin krijuar nga aktivitetet e paligjshme të tij dhe përdoreshin nga dy familjarët e tij, Reshit Farruku (babai) dhe Roland Farruku (vëllai të cilit iu bë një atentat në 2014 në Manëz), banues në Shijak të Durrësit.

Nga hetimet rezultoi se Reshit dhe Roland Farruku kishin blerë një pronë me vlerë 920.000 euro në zonën e Gjirit të Lalzit, si edhe kishin një llogari bankare në shumën 6.271.000 lekë që u sekuestruan.

 

sky ecc jurgis Çyrbja

Lini një Përgjigje