
Nga DASH, te Nancy VanHorn, amerikanët i japin fund distancimit nga zhvillimet në vend...
Pas afro tetë muajsh heshtje të plotë nga Uashingtoni, duket se qetësia në politikën shqiptare po merr fund. Administrata e re e SHBA-së, që nga marrja e detyrës së Presidentit Donald Trump në janar 2025, kishte mbajtur një profil të ulët në rajon dhe në veçanti në Tiranë.
Ambasada amerikane në Shqipëri u tërhoq nga çdo qëndrim publik, ndërsa e ngarkuara me punë, Nancy VanHorn, qëndroi krejtësisht e distancuar nga zhvillimet politike. Kjo qasje u interpretua nga politika vendase si një “dritare pa mbikëqyrje” për të eksperimentuar me axhenda të njëanshme.
Por situata ka ndryshuar. Vetëm pak ditë më parë, Vanhorn është paraqitur në zyrën e Kryeministrit Edi Rama për një takim të pazbuluar në përmbajtje. Dhe sot, në kuadër të nisjes së sesionit të ri parlamentar, ajo ka shkuar në zyrën e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. Këto dy vizita në nivelet më të larta të ekzekutivit dhe legjislativit tregojnë se diplomacia amerikane po rikthehet në skenë. Jo për të bërë prezencë, por për të vendosur kontroll.
Kjo kthesë ndodh në një moment kur Rama ishte gati të ndërmerrte ndryshime ligjore pa opozitën, duke u mbështetur vetëm në numrat që zotëron në parlament. Tani duket se çdo nismë që shmang konsensusin do të përballet me një sy kritik nga ambasada amerikane. SHBA është rikthyer si aktor real në lojën politike, jo si spektator.
Paralelisht, në një lëvizje që flet më shumë se çdo deklaratë, Departamenti Amerikan i Shtetit priti në Uashington kreun e SPAK, Altin Dumani. Në rrafsh diplomatik, ky është një sinjal i qartë: nëse dikush në administratën Trump ka vendosur të hapë derën për Shqipërinë, ai dikush është drejtësia. Dhe më saktë, SPAK-u. Jo ministrat, jo liderët partiakë. Një kthesë që e zhvendos vëmendjen nga tavolinat politike tek dosjet penale.
Pritja e Dumanit në Uashington nuk është një vizitë kortezie. Është një kambanë që i bie politikës shqiptare. SHBA po konfirmon publikisht se drejtësia është prioritet i padiskutueshëm dhe se mbështetja ndaj SPAK nuk është as retorikë, as aksidentalitet. Po rikthehet në qendër të aksionit amerikan në Shqipëri.
Politika shqiptare duhet ta lexojë qartë këtë zhvillim: epoka e qetësisë ka mbaruar. Loja pa arbitër nuk do të zgjasë më. Dhe kur arbitri është SHBA, nuk ka shumë vend për manovra. /Pamfleti
Lini një Përgjigje