Opozita, si ajo e vjetra, apo edhe e reja, është një opozitë inkubatori. Njëjtë si ato pulat që rrijnë në bateritë ku ngrohen me korent, marrin frymë me korent, ushqehen në seri me rrip transmisioni, edhe këta opozita qëndrojnë në “kapanonet” e tyre në Tiranë, dhe kur dalin e bëjnë këtë thjesht për përformancë televizive...
Në këto ditë është vënë re një zhurmë e fortë në rrjete, ku ka një përplasje mes segmenteve “të reja” opozitare.
Ajo që bie më shumë në sy është sherri mes Altin Goxhajt, i cili ka ngritur një nismë politike që kërkon ta kthejë në një subjekt, me Adriatik Lapajn, i cili po ngre infrastrukturën e një partie të re.
Përplasja mes tyre është me mjaft potere, njëri e akuzon tjetrin si 'remake' e Mjaftit të 2005-s, e tjetri si karikaturë e opozitës pa këllqe të Sali Berishës.
Ky është në realitet, vetëm një segment i panoramës së madhe të një opozite që nuk mbin, nuk arrin dot të ecë me këmbët e veta, po rrëzohet e vritet sa bën hapat e para. E pastaj, pjesë të energjisë opozitare, pasi harxhojnë mjaft kilovat duke sharë Edi Ramën, nisin e hedhin baltë ndaj njeri-tjetrit.
Duke harruar se në këtë gjendje që është, sulmi politik ndaj Edi Ramës dhe mazhorancës së tij, vetëm e faktorizon dhe e forcon. Kur në fakt, njerëzit në mendjen e tyre në shumicë, janë krejt gati që të bëjnë ndryshimin duke rrëzuar këtë shumicë qeverisëse. Vetëm se duan të dijnë kush do ta zëvendësojë.
Problemi më i madh, si i opozitës që është në tavë, pra në Parlament, në media, në qerthullin e politikës së përditshme, por edhe i asaj që është jashtë dhe nuk e ka fuqinë e të parës është vetëm një. Shkëputja dhe distanca e madhe e saj me territorin, me njerëzit, me problemet e tyre.
Shiko ç’po ndodh në zgjedhjet e pjesshme të Kukësit. Kandidatët i nxjerr Sali Berisha nga xhepi, ku shumica e tyre as jetojnë në Kukës, ndërkohë që mungon një njeri i lidhur me strukturat politike, komunitetin, frymëmarrjen e tyre etj.
Duke qëndruar në inkubator, këto opozita, sa dalin e bëjnë hapat e para sëmuren keq, marrin të gjitha virozat e mundshme, e nuk i bën derman asnjë injeksion. Fiks si zogjtë që fshatarët për kollajllëk i blejnë në pulari, e ngordhin sapo nisin të jetojnë të pavarur.
Një opozitë, duhet të jetojë me këmbët e ngulura në territor që ditën e parë, të marrë antikorpet, edhe pse mund të jetë e vështirë për një kohë. Por më pas, këto antikorpe do t’i japin imunitetin e duhur për të përballuar viruset që hedh mazhoranca.
Po kush janë këto antikorpe?
Asgjë tjetër veçse ngjizja me njerëzit dhe problemet e tyre.
Opozita e inkubatorit, edhe kur është marrë me problemet e njerëzve, apo i ka bërë beteja disa prej tyre, i ka ndaluar në momentin kur nuk ka përfituar politikisht.
Asnjëherë opozita nuk ka gjetur rrugën e duhur për t’i adresuar dhe zgjidhur shqetësimet e njerëzve, pasi hallin e kanë pasur vetëm tek vetja e tyre, sa politikisht përfitojnë. Ndaj dhe nuk kanë shpresë njerëzit.
Për këdo është e njohur beteja e famshme e banorëve të Astirit. Opozita e bëri betejë publike, duke ndaluar edhe punimet për unazën e re. Thelbi i shqetësimeve të njerëzve që ju prishën shtëpitë ishin se ato banesa, nuk po trajtoheshin me vlerën reale nga shteti. Opozita e braktisi këtë betejë, sapo pa që nuk fitonte gjë elektoralisht. Kur krejt natyrshëm duhet ta vazhdonte betejën, ndoshta jo politikisht por me rrugët që ofron sistemi, duke ju ofruar asistencë ligjore, për ta çuar ankesën deri në Gjykatën e Strasburgut. Sa mirë Lulzim Basha dhe familja e tij e çoi në Strasburg hotelin që ja prishi Edi Rama në Vlorë dhe mori 13 milionë euro? Pse nuk e bëri këtë edhe për banorët e Astirit? Kështu edhe me çështjet e tjera. Pse çështja e Teatrit Kombëtar nuk u çua në Strasburg, siç ndodhi për oallatin e familjes?
Sepse nuk kanë pasur interes, e thjeshtë. Politika në fund të fundit është interes, por këtë interes e kanë edhe njerëzit që ndjekin zhvillimet më mirë se analistët e deputetët, që kujtojnë se vdes populli për ta kur i sheh në televizion.
Shikoni si flasin në media, edhe këta të rinjtë opozitarë. Fiks si zogj inkubatori, rrecitojnë përmendësh, madje aktrojnë, e kur dikush i ndërpret, bllokohen. Sepse nuk e njohin realitetin e njerëzve dhe bashkë me ta të flasin realisht si mund të zgjidhen problemet. Se në fund të fundit, edhe po erdhi opozita në pushtet sot, nuk i zgjidh dot sa hap e mbyll sytë. Duhet një proces, duhen menduar dhe gjetur rrugët për t’i zgjidhur. E këto rrugë duhet ti gjejnë që sot, duke folur me njerëzit, duke vuajtur me to, duke jetuar brenda tyre. Ta ndjejnë qytetarët se këta politikanë janë pjesë e tyre, ndryshe sa për kastë, atëherë njerëzit nuk duan riciklim. Pasi po erdhi një kastë tjetër, do të rrijë sa aktualja e problemet nuk marrin asnjëherë rrugën e zgjidhjes. Do Adriatik Lapaj apo edhe të tjerët vërtetë që të ndërtojnë një opozitë të re? Të mos rrijnë në televizione, por të zbresin në territor, në lagje, qytete e fshatra e të flasin me njerëzit. Të cilët dijnë më mirë sesa Lapaj se si zgjidhen hallet e tyre, thjesht ata nuk e bëjnë dot se nuk kanë përfaqësues. Një politikan, sidomos një opozitar, nuk është një orator apo gjeni, thjesht një përfaqësues, përcjellës i mendimeve dhe qëndrimeve, së bashku me zgjidhjet që kanë njerëzit. Ndryshe nga qytetarët që merren me përditshmërinë e halleve të tyre, një përfaqësues, thjesht ka kohën dhe vendosmërinë, natyrisht edhe diturinë për t’i çuar këto shqetësime në rrugën e zgjidhjes. Duke ndenjur në studio, zyra, rrjete, e lokalet e qendrës së Tiranës, apo mjediset diplomatike, ata janë thjesht zogj kapanoni, u mungon ajri, uji, guri dhe jeta reale. Sa të shkelin, do të sëmuren, siç ndodh me të gjithë krijesat artificiale./Pamfleti
Lini një Përgjigje