Lufta mes Amerikës Zyrtare dhe kriminelëve ende vazhdon pa viktima...
Hajdutët e pushtetit e kanë bërë Shqipërinë Amerikë për veten dhe Afrikë për qytetarët; një vend ku fuqia dhe interesat kanë sfumuar parimet, ligjin, jetesën dhe mbijetesën. Kanë shpikur sistemin e ri, ku zyrtarët janë shumë të pasur dhe të pushtetshëm dhe qytetarët shumë të varfër e të skllavëruar.
Edhe mungesat në Ambasadën Amerikane, përtej trishtimit të realitetit, janë edhe jetesë edhe mbijetesë. Përplasen interesa me valë lëndësh detergjente që shpërndajnë rryma deri nëpër dhomat e vendimmarrjeve në oreks të interesave mafioze, pse jo edhe në emërimin e ambasadorëve këtu në Tiranë.
Rruga e ambasadorit të ri amerikan David Kostelançik ka pengesa.
Edhe mes demokratëve dhe republikanëve, edhe mes korrupsionit dhe ligjit, ambasadori i ri mund të shtrydhet në gotën “vjen a nuk vjen” ose në geton “është me drejtësinë apo me Bablokun” që ka nxjerr njoftimin se, “ambasadën e ka lidhur në kular si kaun që liron tokën e të zotit”.
Lufta mes Amerikës Zyrtare dhe kriminelëve ende vazhdon pa viktima.
Hajdutët tanë, në shfaqjen teatrale, ku konflikti mes detyrimit dhe veprimit i ka përplasur në kapërcejtë e sfidave, ose para marsh drejt burgut, ose, prapa kthehu drejt burgut, ngritën flamurin e bardhë, e kthyen luftën në fillimin e saj, kur u zunë rob nga ambasadori Donald Lu në një sallë, ku një orë zyrtari kushtonte më shumë se një makinë e Ambasadës Amerikane.
Meqë robërit e luftës nuk dhunohen, pse të mos trajtohen mirë edhe ata të veseve?!
Përplasjet mes dobësisë epike të të fortëve dhe aftësive plot pafuqi kapitulluese të të humburve, ende janë të ngatërruara. Nuk i zgjidhën dot as Perandoritë, as Mbretëritë, as sistemet e tjera moderne, ndaj ne u kushtojmë vëmendje vazhdimisht.
Teknikalitetet që prodhojnë epoka dhe zhvillimet që lëshojnë degë, përligjin edhe hajdutët tanë, antiamerikanët tanë, të shfaqen si kundërshtarë të varfërisë, korrupsionit dhe të kërkojnë të gjejnë Amerikën e vet dhe ambasadorin që u jep frymë maskarallëqeve të tyre.
Kur mëson se vajza që futi në mëkat krye bashkiakun bos të Kukësit me video erotike në zyrë të shtetit, para se të gjejë viktima si Safeti i Rilindjes, paska gjetur Amerikën, rilindjen e pasurive të vjedhura këtej me një vizë të dhënë nga një patronazhist i Bablokut, thua, pse edhe Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Olsi Rama e gjithë kriminelët të mos kenë Amerikën e vet dhe Ambasadorin e vet?
Specialistja e seksit, jo vetëm është kualifikuar për vizë amerikane, siç ka deklaruar publikisht Babloku, por na del edhe me patentë e pasuri atje?!
Po familjet e përfolura mafioze Berisha, Mediu, Meta e Metaj, Rama, Rruli e shuli i mekanizmit të korrupsionit, pse të mos kenë Amerikën e vet dhe ambasadorin e tyre?!
Bablokut, ta themi, i mungon prej kohësh edhe besimi, sidomos që kur FBI i zuri mikun McGonigal duke gjuajtur me guralec pas dritares fshehtas ambasadores Yuri Kim.
Atë ditë, Presidenti Bill Clinton u bë xheloz dhe radari i Sheikut të Qeverisë sonë e joshi me shtëllunga dollarësh nga taksat tona dhe dashuri platonike për përfitime astronomike, duke e sjellë në Tiranë, donte apo nuk donte Uashingtoni.
Pse të mos e bëjë Babloku biznes politik, kur para droge e fondesh publike ka sa të dojë, pasi opozitën e ka tredhur, diplomacinë robtuar e publikun skllavëruar.
Dilni shihni se ç’ka ngjarë?
Fatmir Mediu, kriminel, i dënuar me burg ende të pa bërë në Itali, Taulant Balla me dosje për vrasjen e një avokati në Elbasan, Olsi Rama, i akuzuar nga OSBE për 200 milion euro në parajsat fiskale dhe shumë zullume të tjera, kanë gjetur Amerikën e tyre, ku fshehin pasuritë tona.
Votat tona kanë ngritur pushtetin që nuk zbret më, kanë frenuar opozitën që nuk ngrihet më, prandaj kjo është esenca dhe divergjenca, të presim ç’do të bëhet, pasi sot për sot çdo antiamerikan do Amerikën e vet dhe Ambasadorin e vet./Pamfleti
Lini një Përgjigje