Prokurorët e çështjes Edvin Kondili e Ened Nakuçi të mos bëjnë lojën e "k*çkës që krihet e fshatit që digjet", por të lexojnë letrat e të urdhërojnë prangat. Ky nuk është nga ato raste që kalon me një status në Facebook. Dhe as duke u betuar për pafajësi "për shpirt të babit"...
Patetik - sidomos me publikimet e atyre videove të mjekëve që lartësonin koncesionin e Sterilizimit - dhe mashtrues deri në pikën e fundit, ishte reagimi i Ilir Beqajt për një nga vjedhjet më të mëdha në vend, firmosur e drejtuar prej tij. Pa ndonjë pritshmëri që hajduti i Bablokut të rrëfejë të vërtetën, Ilir Beqaj duhet t'ia kishte kursyer shqiptarëve atë postim të pistë, njësoj si aferat e tij. Por meqë sojit të Beqajt dhe të ngjashmëve të tij nuk u ka mbetur më as nder e as moral, por ia numërojmë ne disa çështje nga afera e Sterilizimit, për të cilat ky palaço pushteti, jo vetëm që duhet të përgjigjet, por edhe të mbajë përgjegjësi për to.
E para: ishte Ilir Beqaj ai që firmosi hapjen e procedurës për PPP e Sterilizimit. Ishte po ai që firmosi sistemin e pikëzimit që e renditi të parën bashkimin e kompanive të Ilir Rrapajt dhe Umberto Stacchinit. Ishte Ilir Beqaj ai që firmosi kontratën me administratorin e kompanisë Admir Daca.
Pse?
Në atë kohë, mbi tavolinë, Ilir Beqaj kishte edhe kërkesën e Ogerta Manastirliut, asokohe drejtoreshë e QSUT, për të vënë në punë një qendër moderne sterilizimi që flinte prej vitesh në spitalin e ri të urgjencës. Duhej vetëm të specializohej stafi dhe qendra ishte super funksionale. Ilir Beqaj nuk iu përgjigj kurrë kësaj kërkese. Sado që në Facebook bën një përsiatje të gjatë pamundësie, në realitet, ai si ministër nuk e mori kurrë në konsideratë këtë qendër. Sepse nuk kishte si ta merrte. Nga Italia i kishte ardhur paketë mundësia që të lëvronte 100 milion euro për këtë, duke përdorur madje të njëjtën qendër të ndërtuar me taksat e shqiptarëve. Qendrën shtetërore të sterilizimit mund t’ia jepte privatit ai, kundrejt një kontratë koncesioni 100 milion euros për një kompani me vetëm 1000 euro kapital.
A mund të ketë aferë më të pistë se kjo?
Nuk i bënë përshtypje këtij ministri të dhënat e kompanisë të cilat do ti jepte 100 milion euro? Natyrisht që jo sepse afera ishte bërë në tavolinë me kohë. Ilir Beqaj në bashkëpunim me e Klodian Rrepajn e kishin marrë vendimin, kishin zgjedhur edhe fituesin edhe pse për këtë fitues studimi i fizibilitetit ishte me të dhëna të rreme, eksperienca e tij ishte zero, kompania ishte krijuar vetëm një muaj përpara kontratës dhe ashiqare, kriteret e vendosura nga ministria e Beqajt ishin hartuar në mënyrë të tillë që ti përshtateshin gjendjes reale të kompanisë.
Pastaj, pse nuk ndërhyri ky ministër, kaq i apasionuar për të zgjidhur hallet e shëndetësisë që të zgjidhur konfliktin e interesit mes zv. Ministrit të vet, Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij?
E dyta: me lot ndër sy, Ilir Beqaj pretendon se udhëtimet e tij me Ilir Rrapajn, Umberto Stacchinin dhe Admir Dacën kanë qenë normale.
"Të udhëtosh Tiranë-Romë apo Romë-Tiranë është gjëja më normale nëse do të udhëtosh nga Tirana në Evropë", shkruan Beqaj. "Mund të qëllojë që në ato fluturime të jenë miq, shokë, bashkëpunëtorë etj. Vetëm pse je ne ato fluturime, kjo nuk besoj se është indicie për fajësi".
Mos more! Kaq kishe për të thënë z. Beqaj? Dosja e SPAK flet ndryshe. Ca si shumë rastësi oraresh dhe destinacionesh ke me këta zotërinjtë... Pastaj ç'mund të na thuash për lënien në përdorim të makinës së ministrit kur udhëtonte Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj?
Në dosje shkruhet qartë që "shtetasi Ilir Rrapaj dilte jashtë vendit me makinën e Ministrisë drejtuar nga shoferi i zv.ministrit -mik i vjetër i tij - si dhe me makinën e vetë ministrit Beqaj. Apo është normale edhe kjo? E kishe nga mirënjohja e tepërt për biznesmenin që na zgjidhi hallet e sterilizimit në shëndetësi?
Prandaj Beqaj le të mos na tregojë përralla. As të qurravitet nëpër rrjetet sociale për vjedhjet e tij. Gjithashtu prokurorët e çështjes Edvin Kondili e Ened Nakuçi të mos bëjnë lojën e "k*çkës që krihet e fshatit që digjet", por të lexojnë letrat e të urdhërojnë prangat. Ky nuk është nga ato raste që kalon me një status në Facebook. Dhe as duke u betuar për pafajësi "për kokë të babit".
Hajdutët duhen vënë përpara drejtësisë!/Pamfleti
Lini një Përgjigje