TAGS-AT E JAVËS

Editorial29 Gusht 2023, 17:20

Legalizimi i tregut të votave

Shkruar nga Fadil Lepaja
Legalizimi i tregut të votave
Administrimi i zgjedhjeve

Në bursën greke sa kanë vlerë votat shqiptare? Po në Stamboll? Romë? Hiç! Ka edhe pyetje të tjera… Kush do ti paguaj faturat? Do paguaj kryeministri grek faturat e Belerit? Po faturat e Edit, kush do t’i paguaj?

Përderisa legalizoi kanabisin për motive shëndetësore përse nuk e legalizon edhe blerjen e votave për motive politike. Pastaj është edhe kërkesë/kusht grek për anëtarësim në BE. Është e kotë, nuk kalon, nuk bënë progres drejt BE, pa votën greke. Mund të kesh të drejtë por kujt i bënë. Askush nuk ka kompetencë të detyrojë një anëtare të BE të heq veton. Pra, legalizo blerjen e votave, liro Belerin, kthe miqësinë me Greqinë dhe nisu për Evropë, Edi.

Edhe ashtu Edi nuk i ka në qejf gjërat që i bëjnë të gjithë. Është modern! Ka ikur koha e votave. Nuk është më vota instrumenti më demokratik i qytetarit dhe demokracisë. Janë pëlqimet. A nuk kanë më shumë legjitimitet pëlqimet në rrjetet sociale se votat e dyshuara si të vjedhura, apo të blera.

Pastaj, duhet bërë edhe dallimi moral. Nuk është e njëjtë si të vjedhësh, dhe si të blesh vota.

Në blerje ka pak moral, sepse edhe ai që i shet përfiton. Edhe ndërmjetësuesi. Edhe politika. Të gjithë (për)fitojnë nga shitblerja. Edhe administrata Tatimore ka rriskun e vet.  Votuesit, zakonisht nuk përfitojnë asgjë nga vota e tyre e falur, e hedhur me bindje në kutitë e votimit, sepse politikanët rrallë i mbajnë premtimet. Ndërkohë që vjedhja e votave është krim ordiner...lëre fare. Nuk bën kurrsesi të vidhen votat. Dëmtohen drejtpërdrejtë votuesit. Nuk përfitojnë asgjë. Pra...legalizo, Edi. Kanabisin, votën e blerë, korrupsionin... gjithçka që nuk është e njëanshme si vjedhja. Vetëm vjedhjen, mos e legalizo!

Bëje tregun e lirë, le të dihet kujt i bën më shumë, kush jep më shumë për votën. Edhe votuesit do ta mendojnë më mirë dhe nuk do të bien pre e fjalëve dhe premtimeve boshe. Nëm lekun, jap votën.

Ideja mund të zhvillohet më tutje. Mund të kërkohet reciprocitet, pra që  ky parim të bëhet universal, evropian. Përse të mos blihen votat edhe në Çamëri? Në veri të Kosovës, në Luginë, në Bosnjë e Hercegovinë, Sanxhak... Kudo ku ka interes, të lejohet blerja. Kujt ja shesin qytetarët, me vullnet të lirë, e tyre është. Qytetarët janë sovrani, vullneti i tyre është baza e demokracisë. Shitja të jetë pra si një mundësi, jo si imponim, sepse ashtu nuk do të kishim zgjedhje të lira. A nuk është më mirë të blihen me para se sa me gjak? Pastaj, kush mendon se do të blinte votat me çmimin e tregut në Shqipëri? A mendoni se do të blinte kush territore në këtë kohë? Nuk do të shesësh, futi një çmim të lartë vëlla.

Nejse, dasma greke rrodhi mirë. Si në çdo dasmë ishte një hare e përgjithshme dhe një kaos emocional dhe social. Ndoshta si një kundërpeshë e takimeve të tjera. Edhe “paparacët” nxorën momente, mediat sollën fjalë, mesazhe të koduara e të pa koduara nga darka publike  greke, të cilën për të mos e ngatërruar me “darkën e fshehtë” dhe mesazhet që dërgon ajo, e quajtëm dasma greke.

Në darkë, politika greke e ftoi Albinin, bashkë me Aleksandrin dhe Volodimirin. Po i thërrasim me emër, pasi aq shpesh i dëgjojmë emrat e tyre dhe aq në momente intime na futen në shtëpi, sa e ke të vështirë që t’u adresohesh me tituj zyrtar apo me mbiemra. Mirëkuptim pra, për ne, që ngjarjet publike më nuk i shohim si diçka që ndodhë jashtë shtëpisë tonë. A nuk i kemi të shtëpisë politikanët?  Jeni grindur me dikë për babanë apo mamanë tuaj në publik? I keni mbrojtur me zjarr? Jeni rrahur në turmë për familjen?  E pra, ... nuk janë të familjes këta?

Edin nuk e ftuan. Nuk e ftuan as në Budapest, ku u mblodh kremi i politikës lindore të Ballkanit. As Vuçiç nuk e qas më. Në Greqi u mblodh gjithë “Procesi i Berlinit”..., pa Edin. Albini dhe Aleksandri i tokën duart me Volodimirin, u fotografuan duke dhënë mesazhe të ndryshme në rrjetet sociale. Aleksandri u shpreh i sigurt se Zelenski nuk e njeh Kosovën, pa treguar se i ka premtuar armë me këtë kusht. Ndërkaq Kurti tha ...  të veten.

Ndërkohë që grekët dhe serbët, gjithnjë e kam fjalën për politikën shtetërore, i kanë ndarë rrugët ose rolet, së fundmi, turistët serb, tashmë jo domosdoshmërish shkojnë në Sarandë përmes Greqisë. Tash shkojnë nga shumë drejtime dhe shumë më të shumtë në numër. Lënë shumë më shumë para. Përpara serbët Shqipërinë e përmendnin vetëm si cak ushtarak apo politik, ndërkohë që për qejf shkonin në Greqi apo Mal të Zi ku ndiheshin si në shtëpi të tyre. Pastaj më thonë e fillon llafin në Beograd e mbyll në Tiranë, Prishtinë apo Shkup…! E si mos ta ngatërrosh llafin.  E nisa llafin me kanabisin, votën e shitur lirë, e dolëm te dasma greke. Po të ishte legale nuk do shitej aq lirë nga votuesit shqiptarë...Himara.

Ndoshta as nuk do të blihej. Pastaj, Evropa nuk lejon luftëra as pazare për territore.../Pamfleti

legalizimi i tregut të votave

Lini një Përgjigje

Editorial