TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Shtator 2025, 15:26

Opozita "dorëzon armët", futet në komisionet parlamentare pavarësisht kundërshtimeve;

Shkruar nga Pamfleti

Opozita "dorëzon armët", futet në komisionet

Opozita ka vendosur të mos e bojkotojë përbërjen e re të komisioneve parlamentare, duke ndryshuar qasjen e deritanishme përballë mazhorancës. Megjithëse nuk njeh strukturën e re të miratuar nga shumica socialiste, opozita ka dërguar zyrtarisht emrat e saj për përfaqësim në komisionet e reja të Kuvendit.

Ky zhvillim vjen në prag të seancës plenare të së mërkurës, ku pritet të miratohet formalisht përbërja dhe drejtimi i komisioneve parlamentare. Mazhoranca synon të votojë ndarjen e re me 11 komisione, ku 7 do të drejtohen nga PS dhe 4 nga opozita. Një ndarje që vetë opozita e ka quajtur të pabalancuar dhe politike, por që gjithsesi ka zgjedhur të mos e sfidojë me bojkot institucional.

Pasditen e sotme, Kryesia e Kuvendit ka thirrur një takim informal me krerët e grupeve parlamentare, ku do diskutohet mënyra e funksionimit të komisioneve dhe ndarja e posteve. Opozita pritet të jetë e pranishme me përfaqësuesit kryesorë të PD-së, PL-së dhe partive të tjera aleate.

Ky kthesë tregon se opozita, ndonëse në konflikt të hapur me mazhorancën për çështje rregulloresh dhe përfaqësimi, nuk ka ndërmend të dalë jashtë sistemit parlamentar. Por pjesëmarrja në komisione nuk do të thotë qetësi politike; përplasjet pritet të vazhdojnë në çdo seancë, me theks te legjitimiteti i reformës së re të Kuvendit dhe mënyra si u miratua ajo.

Lini një Përgjigje