
Kryetari i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një komunikim me mediat nga Kryesia e Kuvendit.
Bardhi ka njoftuar se do të çojë në Gjykatën Kushtetuese ligjin për komisionet hetimore.
Një tjetër çështje është edhe amnistia penale, ku opozita ka dorëzuar propozimet e saj.
Bardhi ka thënë se edhe nëse mazhoranca i pranon këto propozime, sërish opozita nuk do e votojë deri në momentin që parlamenti do ti rikthehet normalitetit.
Bardhi tha se do duhet që fillimisht qeveria të përmbushë kërkesat e opozitës për komisionet hetimore në mënyrë që të ketë një konsensus të plotë për amnistinë e të burgosurve.
“Së pari, para se të shkojmë në votimin e ligjeve konsensuale ku Amnistia ka qenë e tillë, Parlamenti duhet t’i rikthehet normalitetit dhe kjo po pengohet nga refuzimi që mazhoranca bën ndaj kërkesave të opozitës. Ne e mbështesim amnistinë penale, ka qenë traditë e gjatë kur është votuar në mënyrë konsensuale, por para se të shkojmë në këtë fazë, pra të bëjmë një konsensus të rremë, do duhet t’i rikthehemi shinave të kushtetutshmërisë. Ngritja e komisioneve hetimore është funksion kushtetues i Kuvendit”, tha Bardhi.
Lini një Përgjigje